Qeveria e vlerëson vendimin e Kushtetueses për Asociacionin

Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar si procedurë normale vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullim të përkohshëm të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme

11/11/2015 13:05

Ekzekutivi ka sqaruara se Marrëveshja e arritur parasheh shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.

Me anë të një komunikate, Qeveria ka bërë të ditur se është e interesuar për vazhdim të dialogut me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, raporton transmeton lajmi.net

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces”.

“Masa e përkohshme e marrë nga Gjykata Kushtetuese është procedurë normale dhe e pezullon zbatimin e Marrëveshjes për Parimet e Përgjithshme / Elementet Kryesore të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në pritje të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese”.

“Për ta siguruar përputhshmërinë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Marrëveshja si e tillë në pikën 2 e ka paraparë shqyrtimin e saj nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.