Qeveria e re të shuaj disa nga ministritë

Për të pasur funksionalitet të Qeverisë, duhet që disa prej ministrive të shuajnë veprimtarinë e tyre.

Lajme

30/05/2014 14:13

Kështu tha analisti i politikave në Institutin “GAP”, Visar Rushiti, ku sipas tij, ministritë si ajo e komuniteteve, do të duhej që komplet të shuhet, ndërsa ministri të tjera të sektorit të përafërt, të shndërrohen në një.

Rushiti, në një prononcim për lajmi.net, tha se në bazë të shpenzimeve për paga dhe mëditje si dhe efikasitetin e disa ministrive, duhet të bëhet reduktimi i disa ministrive.

“Qeveria e re e krijuar nga zgjedhjet e ardhshme duhet të ketë më pak ministri, nëse marrim parasysh shpenzimet e 19 ministrive, sidomos shpenzimet për paga dhe mëditje dhe shpenzimet e stafit politik (kabineteve), efikasitetin në komunikim dhe bashkëpunim në një Qeveri me më pak ministri”.

Rushiti përmendi edhe disa ministri që janë pjesë e ekzekutivit aktual, e që, sipas tij,  do të mund të funksionin në kuadër të ministrive tjera.

“Ministria e Diasporës do të mund të mbulohej kryesisht nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Pushtetit Lokal do të mund të funksiononin si një ministri, dhe Ministria e Komuniteteve po ashtu do të duhej të shuhej. Disa funksione të kësaj të fundit do të mund të mbuloheshin nga Zyra për Çështje te Komuniteteve nën Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrat lokale për komunitete si pjesë e komunave të Kosovës”.

“Po ashtu, ministritë e lidhura më shumë me zhvillimin ekonomik, si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Infrastrukturës do të mund të shkriheshin nën një Ministri të fuqishme për zhvillim ekonomik”, tha Rushiti për lajmi.net.

Rushiti tha se Instituti “GAP”, është  në finalizim të një analize / propozimi se cilat dikastere qeveritare ish dashtë me u shua.

Qeveria aktuale e Kosovës, me njëzet ministra, gjashtë zëvendëskryeministra dhe mbi dyzetë zëvendësministra, bën që kabineti qeveritar i Thaçit të konsiderohet më i madhi në rajon.