Qeveria e re në Maqedoni, negociatat mes VMRO-DPMNE dhe BDI

Partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, VMRO-DPMNE është duke përgatitur ftesën në adresë të partisë fituese nga radhët e shqiptarëve, BDI, për të vazhduar bashkëqeverisjen, edhe pse drejtues të PDSH-së vazhdimisht kanë thënë se ata do të jenë partnerë qeverisës, shkruan Zhurnal. Sipas analistëve politikë, çështje të nxehta në bisedimet për koalicion do të jenë BE-ja, NATO dhe emri i Maqedonisë. 

Lajme

30/04/2014 20:00

Burime të larta brenda VMRO-së kanë thënë për gazetën \”Dnevnik\” se ndoshta “problematike” në këto bisedime mund të jetë mosnjohja e legjitimitetit të presidentit Ivanov dhe kërkesat e BDI-së për dygjuhësi, si dhe ndryshimet kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit.

\”Do të shohim se cila është oferta e BDI-së, programi i tyre dhe kërkesat dhe më pas do të shqyrtojmë se a mund të gjejmë gjuhë të përbashkët. Shtylla e platformës qeveritare do të jetë programi i VMRO-DPMNE-së, ku si prioritet mbetet ekonomia, infrastruktura, investimet e huaja\”, ka thënë ky burim.

Funksionari i lartë i VMRO-DPMNE nuk beson se është e mundur që dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH do të jenë pjesë e Qeverisë, edhe pse nuk është biseduar për këtë variant.

Negociatat pritet të nisin pas 1 majit, ndërsa besohet se do të udhëhiqen nga sekretarët e partive Emil Dimitriev, i VMRO-DPMNE, dhe Abdilaqim Ademi i BDI.

Nga partitë deri tani nuk ka kurrfarë informacione as për bisedimet e mundshme as për postet që secila prej tyre do të përfaqësonte. Nuk u përgjigjen pyetjeve, madje as se çfarë do të kërkonte Ahmeti nga Gruevski, ose çka do të japë kryeministri që të arrihet marrëveshja për koalicion.

Analisti politik, Petar Arsovski mendon se përveç temave me tensione, që përsëriten përherë gjatë bisedimeve për formimin e qeverisë së re, këtë herë tension më i madh do të shkaktohet rreth integrimeve euroatlantike dhe kërkesave për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Ka afat konkret, shtatori, kur është caktuar Samiti i NATO-s, në të cilin temë do të jetë zgjerimi i NATO-s, ndërsa ka paralajmërime se Maqedonia, për shkak të krizës në Ukrainë mund më lehtë të anëtarësohet. Nëse anashkalohet ky termin, pastaj vijojnë zgjedhjet në Greqi dhe do të humbim edhe dy vjet dhe asgjë nuk do të mund të bëjmë rreth asaj pyetje”.

Sipas profesorit Mersel Bilalli, jo vetëm që kjo çështje do të jetë kyçe, por mund të shkaktojë edhe krizë politike nëse nuk gjendet gjuhë e përbashkët.

“Pika kryesore do të jenë anëtarësimi në NATO dhe fillimi i bisedimeve me BE-në. Ali Ahmeti haptas e tha këtë dhe, nëse lëshon pe do të ketë pasoja negative politike”.

“Mendoj se Ahmeti do të insistojë që shteti të jetë i përgatitur për anëtarësim në NATO deri në Samitin e vjeshtës së Aleancës, që do të thotë se do të duhet të zgjidhet çështja e emrit. Nëse nuk ndodh kjo, pres që të fillojë një krizë serioze politike”, tha Bilalli.