Qeveria e re e ka fytyrën e PDK-së!

Nënkryetari i PDK-së, Hjaredin Kuçi ka deklaruar se qeveria e re e ka fytyrën e PDK-së, ndonëse kjo parti nuk e udhëheqë koalicionin qeverisës.

Lajme

30/12/2014 08:48

Në një intervistë për Epoka e Re, Kuçi ka thënë se partia që i ka fituar zgjedhjet e 8 qershorit ka hyrë përnjëmend ne qeveri, dhe se këtë sipas tij e dëshmon vetë pozicionimi i Hashim Thaçit në postin e zëvendëskryeministrit.

Kuçi ka vlerësuar larët veprimet e liderit të PDK-së, Thaçi, gjatë kohës së ngërçit të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare, në veçanti vendimin e tij që si fitues i zgjedhjeve të behët zëvendëskryeministër.

“Z. Thaçi ka treguar se për interes të vendit nuk është domosdo mbajtja e pozitës së kryeministrit të këtij vendi. Ai ka shërbyer vendit edhe si lider student, në luftë si ushtar i UCK-së, deri tek udhëheqja e delegacionit të Rambujesë. Po ashtu i ka shërbyer vendit si opozitë. Sot po i shërben vendit si zëvendëskryeministër, kurse nesër këtë mund ta bëjë edhe si president”, është shprehur Kuçi.

Kuçi po ashtu ka thënë se marrëveshja e ish-Bllokut ka sjell disa pasoja e kanë shtyrë PDK-në të heq dorë nga posti i kryeministrit, por sipas tij PDK-ja me marrëveshjen e koalicionit qeverisës i ka ndarë përgjegjësit në bazë të vullnetit të elektoratit.