“Qeveria e re”, BDI-ja shqyrton materialet e LSDM-së

BDI-ja është duke shqyrtuar materialet e dorëzuara nga LSDM-ja që kanë të bëjnë me kushtet e vendosura nga partia e Ali Ahmetit për negociata me partinë e Zoran Zaevit.

Lajme

14/02/2017 16:58

Burime nga BDI-ja për Alsat deklaruan se të njëjtat materiale do t’ju dorëzohen edhe partive të tjera shqiptare, BESËS dhe Aleancës për Shqiptarët dhe më vonë LSDM-së do t’i kthehet material me vlerësimet e BDI-së.

“BDI ka konsideratë për rëndësinë që ka ky vendim dhe prandaj shqyrton thelbësisht dhe gjerësisht çdo probabilitet, çdo avantazh dhe çdo pasojë që mund të ketë përcaktimi jonë”, njoftojnë nga BDI-ja.

Aleanca për Shqiptarët pranoi se janë të njoftuar dhe presin materialet për t’i marrë në shqyrtim gjatë takimit mes grupit punues të përbërë prej nënkryetarëve dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, që do të mbahet në orët e pasdites. Nga BDI-ja thonë se takime pritet të ketë edhe me krerët e BESËS dhe PDSH-së por nga Lëvizja Besa thonë se deri tani nuk kanë pranuar të tilla materiale dhe nuk janë të ftuar për një takim nga partia e Ahmetit.

Alsat mëson se drafti i dorëzuar nga LSDM-ja që fundjavën e kaluar, ka të bëjë me zgjidhjen e statusit të gjuhës shqipe, por detajet mbeten të fshehta për opinionin. Ish kreu i PDSH-së Menduh Thaçi për Tv Art tha se partive shqiptare ju duhet një koordinim me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar që do të kushtëzojnë bllokun maqedonas për përmbushjen e kërkesave reale të tyre. Ai deklaroi se shqiptarëve ju duhet vendimmarrje konsensuale në institucione dhe nuk favorizon asnjërin nga liderët maqedonas.

“Unë kam një bindje nga përvoja politike që kam se cilido qoftë prej tyre, nuk do t’na e jep të drejtat nëse ne nuk i kushtëzojmë ata me këto të drejta. Unë në politikë nuk i besoj askujt. Në politikë i besoj vetëm asaj për të cilën merremi vesh dhe asaj për të cilën bashkësia ndërkombëtare hyn si garant”, tha Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së.

Partitë politike nuk kanë një afat të caktuar kohor brenda të cilit duhet të marrin një vendim për formimin e Qeverisë së re. Zaev beson në sigurimin e të paktën 61 nënshkrimeve të deputetëve për të marrë mandatin kurse Gruevski nga ana tjetër, me ngulm kërkon zgjedhje të reja.