Qeveria e lë Mitrovicën pa bord të përbashkët

Problemet që kanë ndërmjet vete komunat të cilat i ndan Ibri, kanë nisur të negociohen në Bruksel. Martti Ahtisaari kishte paraparë që ato të kishin një bord të përbashkët për t’u dhënë zgjidhje të gjitha kontesteve. Por autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendëse kanë dështuar ta përmbushin këtë përcaktim. 

Lajme

22/07/2014 10:22

Në Qeveri nuk kanë treguar nëse kanë në plan ta themelojnë Bordin e përbashkët të të dyja mitrovicasve, që, sipas një dokumenti në fuqi, duhet të drejtohet nga një ndërkombëtar. 

Qeveria e Kosovës ka dështuar ta formojë të vetmin mekanizëm kupolë që presidenti Martti Ahtisaari e kishte paraparë ta vente mbi dy komunat e Mitrovicës – Bordin e përbashkët. Për pasojë, problemet ndërmjet këtyre dy komunave me përbërje të ndryshme etnike po kërkohen në Bruksel. 

Me ftesë të kryediplomates evropiane në detyrë, baroneshës Catherine Ashton, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka udhëtuar të hënën për në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, për të marrë pjesës në takimin për çështjen e heqjes së barrikadave në urën e Ibrit.

“Nga ky takim pritet të dalë një plan konkret dhe me afate të qarta për heqjen e barrikadave dhe mundësimin e lëvizjes së lirë në urën e Ibrit dhe përreth saj në pajtim me ligjet e shtetit të Kosovës dhe marrëveshjet e Brukselit”, thuhet në një informatë për media që ka lëshuar Qeveria të hënën, shkruan Koha Ditore.