Qeveria e Kosovës? “S’kam lidhje”, thonë në veri

As fakti se në qeverinë e re ndodhen dy ministra serbë dhe një zëvendëskryeministër, dy nga të cilët janë nga veriu i Kosovës, nuk ka mjaftuar që qytetarët e kësaj pjese të tregojnë interesim, ndërsa komentet ndaj bashkëkombësve të tyre në qeverinë e re kanë qenë kryesisht negative.

Lajme

10/12/2014 18:07

“Qeveria e Kosovës? S’kam lidhje”, “Nuk di. Nuk më intereson për Qeverinë e Kosovës”, këto janë përgjigjet që kryesisht tregojnë se sa janë qytetarët e veriut të Mitrovicës të informuar rreth zhvillimeve në Prishtinë.

Të rrallë kanë qenë qytetarët të cilët gjatë një bashkëbisedimi për portalin Kossev nga veriu kanë dëgjuar se Qeveria e Kosovës është formuar të martën, ndërsa edhe ata të cilët kishin dëgjuar, nuk dinë cilët janë tre përfaqësuesit serbë në qeveri.

Ata u shprehën kundër pjesëmarrjes së serbëve në këtë qeveri, ndërsa thanë se janë skeptikë për mundësinë që ata të përfaqësojnë të drejtat e serbëve.

“Nuk di kush janë përfaqësuesit serbë dhe thjesht nuk më intereson”, është vetëm njëra nga përgjigjet e këtyre qytetarëve.

Në pyetjen nëse përfaqësuesit serbë do të përfaqësojnë vërtetë të drejtat e popullatës serbe në Kosovë, ky qytetar tha: “Zoti na ruajt, nuk besoj kurrë. Ata janë vetëm njerëz të interesit, të cilët duan paga të majme për vete, por përfaqësues të serbëve nuk janë me siguri”.

Një tjetër qytetar ka sjellë edhe kryeministrin e Serbisë në kontekst negativ, kur është përgjigjur rreth Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve serbë.

“Po, e di për tre ministra, kurse për angazhimin e tyre thjesht dyshoj. Ata angazhohen për xhepat e tyre, njëjtë si në Qeverinë e Serbisë që bën Aleksandar Vuçiq. Edhe për të thonë se angazhohet për Serbinë. Ai nuk po e përmend më aferën ‘Kofer’, që ka qenë aktuale derisa ishte radikal në Kuvend, ku është tani afera ‘Kofer?”

Gjatë përpjekjeve për të bashkëbiseduar për këtë temë, qytetarët serbë në veri kanë qenë të pa disponuar për të biseduar, veçanërisht të rinjtë, të cilët kanë refuzuar të përgjigjen në çfarëdo pyetje rreth Qeverisë së Kosovës, derisa pensionistët kanë qenë deri diku më të hapur. (Kosovapress)