Qeveria e Kosovës më jotransparentja në rajon

Sipas një raporti të publikuar nga organizata Open Data Kosovo (ODK), del se Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Kryeministrit, këtë vit kanë nivel më të ulët në rajon sa i përket transparencës – me vetëm 29% në bazë të indikatorëve duke u renditur të fundit.

Lajme

29/11/2018 14:10

Transparenca është matur në mes të tre komponentëve: informacioni organizativ, prokurimi publik dhe transparenca buxhetore.

Sipas ODK-së, një nga mangësitë më të mëdha të Zyrës së Kryeministrit është transparenca buxhetore, ku faqja zyrtare nuk përmban shpenzimet buxhetore dhe llogaritë përfundimtare.

Qeveria e Kosovës ka dalur e fundit në rajon edhe sa i përket hapjes së Fuqisë Ekzekutive me vetëm 41%, duke shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar ku ishte 60%.

Libor Chlad zëvendësshef i Seksionit për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë, tha se është e caktuar me ligj qasja në dokumente publike dhe se kjo duhet të iu mundësohet qytetarëve.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështes reformat në Administratën Publike në Kosovë, ky raport është i rëndësishëm për ne, por mendoj që shumë më i rëndësishëm është për ju. Me ligj është e caktuar që çdo kush ka të drejtë për qasje në dokumente publike, por nuk është e lehtë që ta zbatojmë atë. Dhe ajo çfarë duhet të bëjmë ne, është të përdorim  mekanizmat për të kontrolluar Administratën Publike se si funksionon dhe për të informuar njerëzit në punën e saj. Prandaj unë ju bëjë thirrje qytetarëve që të përdorin mekanizmat e caktuar dhe të pyesin për informata, sepse është e drejtë e tyre’’, deklaroi Chlad, raporton kallxo.com.

Ndërsa ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha se do të krijohet një njësi e veçantë për menaxhimin e të dhënave të hapura dhe një komision drejtues për të siguruar llogaridhënien tek institucionet.

‘’Ne do të krijojmë një njësi të veçantë për menagjimin e portalit për të dhëna të hapura si koordinimin e punës teknike në institucione për publikimin e të dhënave. Dhe po ashtu do të kemi komision drejtues për të siguruar llogaridhënie dhe efektivitet të iniciativës për hapjen e të dhënave’’, tha Yagcilar. Ai gjithashtu tha se nëpërmjet përdorimit të të dhënave të hapura, qytetarët dhe shoqëria civile duhet të përfshihen në vendimmarrje. Nëse dëshirojmë që qytetari të përfshihet në vendimmarrje, ata duhet të informohen dhe të kenë qasje në të dhëna të sakta, në fusha të ndryshme sidomos shëndetësia, arsimi, infrastruktura e të tjera”, tha ai.

Open Data Kosovo, përmes 80 indikatorëve për institucion, ka arritur të analizojë hapjen e 275 institucioneve të pushtetit ekzekutiv në rajon dhe ka grumbulluar më shumë se 15 mijë të dhëna të institucioneve.

Matja është realizuar nga muaji dhjetor 2017 deri më shkurt 2018.