Qeveria e Kosovës: Kemi pritur lirimin e plotë të Haradinajt

Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se e ka pritur me të drejtë lirimin e plotë të kryetarit të AAK-së, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga drejtësia franceze, duke pas parasysh fletarrestin plotësisht politik të lëshuar nga Serbia.

Lajme

12/01/2017 15:59

Prandaj, Qeveria e Kosovës, vendimin e sotëm të organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të Haradinaj e konsideron vetëm si një hap, dhe pret që ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së,  Haradinaj, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe do të rikthehet në Kosovë.

Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletarrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i z. Haradinaj, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet tjera që të mos i marrin parasysh.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin e plotë për të mundësuar kthim sa më të shpejtë të Haradinajt në Kosovë si dhe për dhënien fund të rasteve të ndaljes së personaliteteve kosovare në shtetet evropiane, mbi bazën e fletarresteve të paligjshme serbe, thuhet në fund të njoftimit. /Lajmi.net/