Qeveria e Kosovës do të ndajë fond emergjent edhe për Komunën e Mamushës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim kryetarin e Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq dhe deputetët nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Fikrim Damka dhe Mufera Shinik, që janë pjesë e Grupit Parlamentar 6+ në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Lajme

23/08/2018 13:15

Në këtë takim, sipas komunikatës së Qeverisë, është biseduar për të arriturat në komunë, investimet në infrastrukturë, zhvillimin ekonomik dhe për prioritetet e qeverisë në përkrahje të bujqve të Komunës së Mamushës.

Kryeministri Haradinaj është njoftuar nga kryetari Krasniq, për dëmet që u janë shkaktuar ekonomive familjare dhe bujqve të Mamushës nga reshjet e shiut.

“Kemi marr obligimin që sikur edhe për komunat tjera të prekura nga vërshimet, ashtu edhe për Mamushën të ndajmë një fond emergjent, kurse dëmet tjera në infrastrukturë dhe biznese, Qeveria do t’i marrë obligimet e veta në bazë të vlerësimit të ekspertëve të komunës, Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Infrastrukturës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq, falënderoi kryeministrin Haradinaj për gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për të mbështetur komunën e Mamushës.