Qeveria e KEK-u kanë obligim ligjor parandalimin e shtrenjtimit të rrymës

Qeveria e Kosovës ka mundur të parandalonte shtrenjtimin e energjisë elektrike për 5.18 për qind, që u bë duke u thirrur në krizën e shkaktuar nga shpërthimi në termocentralin “Kosova A”.

Lajme

08/09/2014 08:49

Qeveria bashkë me Korporatën Energjetike të Kosovës, pas shpërthimit, kanë pasur obligim ligjor për import të energjisë elektrike, që do të mund të mbulohej më vonë edhe nga subvencionet.

Importimi i energjisë nga KEK-u dhe subvencionimi i kostos së saj nuk do ta ngarkonin qytetarin me pasojat e një shpërthimi, shkaku i të cilit nuk dihet ende zyrtarisht.

Bazuar në Ligjin për energji elektrike, KEK-u është i obliguar të importojë rrymë në rast të mungesës së prodhimit vendor, madje edhe në rastet kur importi i saj nuk është përfshirë në tarifat e energjisë elektrike.

E bazuar edhe në këtë ligj, KEK-u është i licencuar nga ZRRE-ja për eksportimin dhe importimin e energjisë elektrike.

“Në përpythje me nenin 38 të Ligjit për energji elektrike, obligohet i licencuari që të importojë energji elektrike për plotësimin e nevojave të konsumatorëve të pakualifikuar, në periudhat kohore kur prodhimi vendor është i pamjaftueshëm dhe kur në mungesë të këtyre importeve konsumatotët do t’iu nënshtrohen shkyçjeve në Kosovë. ky obligim do të shfuqizohet më së voni më 1 janar 2015”, thuhet në pikën 8 të licencës së KEK-ut, shkruan sot Koha Ditore.