Qeveria e interesuar të zbatohet strategjia për bashkëpunim me shoqërinë civile

Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka thënë sot se Qeveria e Kosovës i konsideron organizatat e shoqërisë civile si partner serioz, prandaj ngritja e kapaciteteve dhe profilizimi i tyre do të ndikojë drejtpërdrejtë në pjesëmarrjen kuptimplotë në hartimin dhe implementimin e politikave dhe prioriteteve qeveritare.

Lajme

18/06/2014 15:40

Beqaj tha se Ministria e Financave dhe Qeveria kanë hartuar strategjinë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile, duke ju mundësuar atyre financim dhe duke mundësuar që ky fond të jetë transparent dhe i ligjshëm.

Kjo gjë sipas tij, do të shtojë bashkëpunimin në mes Qeverisë dhe shoqërisë civile.

Beqaj shtoi se me zbatimin e strategjisë për bashkëpunim me shoqërinë civile, në kuadër të së cilës është paraparë edhe rritja e transparencës në ndarjen e granteve dhe donacioneve për organizatat e shoqërisë civile, do të definohen në mënyrë më specifike kriteret dhe procedurat për ndarjen e granteve dhe donacioneve për OSHC-të.

Ai u angazhua për hartimin e rregullave specifike përmes të cilave do të përcaktohej mënyra e dhënies së donacioneve për organizatat e shoqërisë civile nga ana e autoriteteve publike.

Beqaj tha se transparenca e fondeve është çështja më e rëndësishme, në mënyrë që institucionet të bashkëpunojnë me shoqërinë civile.

“Unë e di se fondet publike janë një çështje shumë e rëndësishme, por gjëja më e rëndësishme është që këto fonde të bëhen transparente dhe të jetë ligjore, në mënyrë që ato të implementohen plotësisht dhe shoqëria civile të ketë qasje në to”, u shpreh ai.

Duke folur në konferencën rajonale kushtuar përmirësimit të kornizës ligjore dhe institucionale për financimin publik të organizatave të shoqërisë civile (OSHC), ministri Beqaj ka theksuar rëndësinë e faktit që kjo konferencë po organizohet në Kosovë dhe se do të jetë rast i mirë për shkëmbimin e eksperiencave në mes të vendeve të rajonit.

Ministria e Financave është duke analizuar bazën ligjore ekzistuese mbi të cilën bëhet përzgjedhja e OSHC-ve përfituese për grante për të parë mundësinë e rregullimit të mëtejmë të saj. Gjithashtu, është duke analizuar mundësinë ligjore për të bërë identifikimin e ndarjeve buxhetore të cilat janë të dedikuara për organizatat e shoqërisë civile, tha ministri Beqaj.

“Ministria e Financave do të jetë e gatshme të bashkëpunojë drejtpërdrejtë edhe me OSHC-të, në funksion të përgatitjes së kritereve më specifike për ofrimin e përkrahjes për organizatat e shoqërisë nga ana e institucioneve publike. Praktikat e vendeve të rajonit do të jenë shumë të mirëseardhura në funksion të rregullimit të bazës ligjore dhe institucionale për një financim publik transparent të sektorit të shoqërisë civile në Kosovë”, tha ministri Beqaj.