Qeveria aprovon projektin gjigant të klubit të futbollit Prishtina

FC Prishtina e kanë marrë përfundimisht lajmin e madh të martën nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Qeveria Haradinaj, në mbledhjen e saj të radhës i ka dhënë dritën jeshile kërkesës së Ministrisë së Sportit që të zgjerohet hapësira e parcelës së kërkuar nga FC Prishtina për shfrytëzim.

Sport

09/10/2018 18:42

Me propozim-vendimin e ri, Bardhekaltrit do t’i kenë në dispozicion 100 mijë metra për ndërtimin e kompleksit të madh dhe modern sportiv, që planifikojnë ta ndërtojnë.

Pra, gati një fish më shumë në krahasim me vendimin paraprak, në bazë të të cilit prishtinasit do t’i kishin në dispozicion pak më shumë se 50 mijë metra katrorë.

Me shumicë votash, Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Ramush Haradinaj e ka aprovuar këtë propozim-vendim, të bërë nga zëvendës-ministrja e Sportit, Leonora Morina – Bunjaku.

MKRS-ja konsideron se ky projekt madhor dhe i jashtëzakonshëm do të jetë mjaft i dobishëm për futbollin kryeqytetas, përmes të të cilit mund të zhvillohen dhe dalin talente të reja.

Kjo hapësirë e ndarë për klubin më të madh në vend planifikon ta ndërtohet një kompleks i madh dhe modern sportiv. Prishtinasit e ka në në letër edhe projektin e jashtëzakonshëm.

“Me qëllim të avancimit të sportit në Republikën e Kosovës kërkojmë nga ju që të bëhet korrigjimi i vendimit të datës 28 shkurt 2018, vendim ky i plotësuar dhe ndryshuar me vendim të Qeverisë të datës 29 mars 2018 lidhur me parcelën numër 1197-2. Pas kërkesës së Komunës së Prishtinës, kjo parcelë nuk mund të ndahet për shkak të planifikimeve në planin zhvillimor urban. Por, e njëjta duhet të trajtohet si tërësi”, ka thënë fillimisht Morina – Bunjaku.

“Kërkojmë që të aprovohen ndryshimet e parapara dhe në vend të hapësirës prej 56.678 metrash katrorë, të vendoset në 100 mijë metra katrorë. Dhe, e njëjta do të përdoret nga klubi i futbollit Prishtina. Me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve sportive, Ministria e Sportit kërkesën e klubit të futbollit Prishtina e konsideron si të arsyeshme pasi që në mandatin e MKRS-së është përmirësimi i kushteve të infrastrukturës sportive, të talenteve dhe që futbollistët të kenë ambiente të përshtatshme sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s. Dhe, dhënia në shfrytëzim e kësaj hapësire do të krijonte kushte më të mira për zhvillimin e gjeneratave të reja, të cilat do të merren me futboll”, ka shtuar zëvendës-ministrja.

 

Kërkesa në fjalë ishte pjesë e pikës 14 të rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë.

Më pas, Kryeministri Haradinaj e hodhi në votim këtë propozim-vendim dhe më pas u aprovua ai.

FC Prishtina qysh moti e ka bërë projektin, por institucionet ia kishin pamundësuar ta jetësonin atë. FC Prishtina Sh.P.K. planifikon të ndërtojë një kompleks modern në vlerën prej 3.5 milionë eurosh.

 

Projekti parasheh ndërtimin e disa fushave ndihmëse me bar sintetik dhe me bar natyral. Po ashtu planifikohet edhe ndërtimi i një konvikti për të rinjtë e Akademisë. /Zeri/