Qeveri kalimtare për shtyrjen e zgjedhjeve

Partitë politike po ecin drejt shterjes së opsioneve dhe mundësive për tejkalimin e krizës politike në vend. 

Lajme

04/11/2014 08:27

Mungesa e një konsensusi politik për ridizajnim të marrëveshjes brenda bllokut VLAN, sidomos në raportet mes LDK-së dhe AAK-së për postin e kryeministrit dhe mungesa e gatishmërisë politike te PDK-ja që të tërhiqet në opozitë për shkak të humbjes së shumicës në Kuvend, po e çon vendin kah opsionet rezerve apo edhe zgjedhjet, shkruan Tribuna.

Deri të mërkurën, partitë politike, megjithatë pritet që t’i dërgojnë ndonjë “mesazh” politik presidentes Atifete Jahjaga se do të reflektojnë në kuptimin pozitiv të arritjes së një zgjidhje politike.

Por, gjasat duket të jenë fare të vogla.

Madje, edhe nëse do të ndodhte një takim i përbashkët i PDK-së dhe Bllokut nën lehtësimin e presidentes Jahjaga, skenarët që i kanë në opsione të dyja palët lënë të nënkuptohet se zgjidhja do të mund të arrihej vetëm pas shumë e shume takimesh, e mbase edhe ndërhyrjeve nga jashtë.

Duke i pasur parasysh këto pozicione, Jahjaga mbase mund t’i pyes partitë politike nëse janë të gatshme që të shkojnë të paktën tash për tash me një qeveri kalimtare, qoftë gjithëpërfshirëse apo teknike.

Një zgjidhje e tillë, siç shkruan Tribuna, do të mund të evitonte mbajtjen e zgjedhjeve në momentin më të keq politik, kur polarizimet mes partive politike janë të skajshme dhe kur kushtet atmosferike janë të vashtirra për organizimin e zgjedhjeve.

Burimet brenda qendrave vendimarrëse i kanë thënë gazetës Tribuna se lidershiou i partive politike nuk po tregon maturi dhe pjekuri politike, ngase shkuarja në zgjedhje në këto rrethana, mund të tensionojë situatën në vend.