Qeveri e shkathët, vetëm për të mbetur në pushtet

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se votimi i FAK-ut ka dështuar për arsye të një pjese të qeverisjes së zotit Thaçi, konkretisht minoriteteve, me të cilat ai është në koalicion. Sipas tij, kjo Qeveri është e shkathët vetëm që të mbetet në pushtet.

Lajme

06/05/2014 23:13

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se Qeveria duhet të matet me atë se sa ka ruajtur interesin shtetëror, dhe jo sa ka arritur të përçajë opozitën.

Ai në një intervistë në emisionin “Zona B” të KlanKosova, ka thënë se mbiemri i “dobët” e ka karakterizuar më shumë Qeverinë Thaçi se sa opozitën. Sipas tij, është vetë pjesa e koalicionit të kësaj qeverie ajo që po bën që të dështojnë votimet në Kuvendin e Kosovës.

“Ka dështuar për shkak të një pjese të koalicioni qeverisës të zotit Thaçi, që janë minoritetet, nuk e votojnë FAK-un. Si mund ta gjykosh Kuvendin kur partitë opozitare janë për shpërndarje të Kuvendit, ndërsa të vetmit që kundërshtojnë janë serbët, që janë pjesë e koalicionit të zotit Thaçi”.

“Po thuhet opozitë e dobët. Unë mendoj që mbiemri i dobët e ka karakterizuar Qeverinë. Qeveria matet sa ka ruajtur interesin shtetëror. Unë mendoj që nëse shikohet se sa e ka ruajtur Qeveria e Kosovës interesin shtetëror në raport me ekonominë, me veriun e Kosovës, është turp për të”.

“A është kjo Qeveri e shkathët vetëm për të mbetur në pushtet?”, ka shtuar pytjen Konjufca.

Duke folur për mocionin e votëbesimit, ai ka thënë se nuk duhet ta bëjmë një gjë të tillë kur i kemi numrat, por vetëm atëherë kur Qeveria bën gabime strategjike, gjë për të cilën opozita do ta shihte si diçka të pafalshme.

Konjufca thotë se nëse Vetëvendosje vjen në pushtet qendror, ajo do ta bënte të njëjtën gjë sikurse me Prishtinën. Kjo në kuptimin që do të dërgonte raste korrupsioni në Prokurori dhe hapje të rasteve të reja nga kutia e korrupsionit, për shkakun që, si tha ai, Vetëvendosje s’i ka askujt borxh.

“Kemi pasur nga viti 2001 ndryshime të pushteteve, në kuptimin partiak. Në çdo ndryshim të pushtetit, që me ndryshimin e pushtetit kanë dalë menjëherë në pah aferat korruptive të pushtetit të mëhershëm, hetimeve të mëdha dhe dalja në pah e hetimeve ekzistuese të pushtetit paraprak”.

“Pushtetet janë ndërruar, këto keqpërdorime kanë qenë të hatashme dhe tash s’po ndodhë asgjë me ato akuza”.

“Tashmë ka fakte të qarta të shpërdorimeve masive, ku lidhen edhe PDK edhe LDK në Prishtinë. Kjo do të thotë që ashtu si në nivel të Prishtinës, ku është bërë dërgimi i 60 rasteve në Prokurori dhe ështrë hapur kutia e korrupsionit, të njëjtën gjë do ta bënte Vetëvendosje edhe në pushtet qendror, sepse nuk i ka borxh askujt”.

“Ky është edhe një interes më shumë i popullit të Kosovës pse duhet të vijë në pushtetet Vetëvendosje. E vërteta do të varrosej po të fitonte një tjetër parti politike”, ka thënë ai.