Qeveri e shantazhuar nga realiteti kosovar

Qeveria e re e Kosovës do të jetë e shantazhuar nga të gjithë parametrat negativ të realitetit kosovar, që parathonë vazhdimësinë e tatëpjetës ekonomike dhe sociale.

Lajme

11/12/2014 22:43

U kry! Nisi! Apo vazhdoi!

Janë këto tri shpjegimet dhe përkufizimet më të shkurtëra dhe më të thjeshta të ngjarjeve nga fillimi i kësaj jave, kur ndodhi konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së Kosovës, në konsekuencë të zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit dhe ngjarjeve të njohura të periudhës e cila u klasifikua si ngërç politik.

Kryerja ka të bëjë pikërisht me këtë ngërç politik. Ai, gjithsesi mori fund. Nisja, me fillimin e punës së Kuvendit dhe të Qeverisë. E vazhdimi, mund të jetë dyllojësh: Për optimistët – mund të jetë kontinuitet i demokracisë parlamentare në vend; për pesimistët – e tëra mund të merr formën e institucionalizimit të krizës së madhe politike. Pra, për ta, fundi i krizës institucionale, mund të hapë udhë për institicionalizimin e krizës.

Numrat e duhur për fuksionimin e Kuvendit dhe të Qeverisë janë atypari, përkundër pakënaqësisë në rritje e sipër në LDK, për shkak të partneritetit të rigjetur me PDK-në. Por ky avantazh numerik, që i jep një shansë Qeverisë së re të Kosovës do të duhej të përcjellej me një stabilitet të brendshëm, cilësor, të kësaj Qeverie, i cili do të kishte si pasojë ndryshimin për të mirë të gjendjes politike, ekonomike dhe sociale në vend. Diç e tillë nuk shihet se mund të ndodhë me këtë Qeveri.

Kjo Qeveri dhe Kryeministri i saj, Isa Mustafa, në variantin më të mirë të saj, mund ta gjejnë veten aty ku ishte Bernard Kouchneri, si Shefi i parë i UNMIK-ut, në vitin 1999. Ai pati deklaruar atëherë që edhe pse punon ditë dhe natë, për shkak të problemeve të grumbulluara për një kohë të gjatë në Kosovë, po e gjen veten në mbrëmje në statusin e vendnumërimit. Po vrapon pra gjithë ditën e lume, e në fund po e kupton që nuk e ka bërë asnjë hap të vetëm para.

Jeta politike ka qenë e paralizuar në Kosovë që prej qershorit deri në fillim të kësaj jave, kur u bënë institucionet qendrore. Por jo edhe jeta si e tillë. Në të gjitha segmentet u mundshme ka ndodhë degradimi. Shumica dërrmuese e kosovarëve sot jetojnë me keq se në dhjetorin e vitit 2013. E njejta shumicë sot nuk beson fare që politika kosovare ka dinjitet. Me po të njejtën shumicë mund të vazhdohet nëse matet pritja e tyre për ndryshimin, për të mirë të gjendjes në Kosovë. Më e keqja, shumica përkon me humbjen e shpresës, e cila bënë që me mijëra kosovarë të largohen kah Perëndimi.

Nuk është vështirë të mbërrihet tek konkludimi që Qeveria e re e Kosovës do ta ketë ndjenjën e të qenit e shantazhuar nga realiteti i Kosovës, nga të gjitha parametrat negativë të këtij realiteti, që parathonë vazhdimësinë e tatëpjetës ekonomike dhe sociale.

Në anën tjetër, ne të gjithë e dimë çka kemi pa të hënën dhe të martën, por vështirë që në rrethanat e tanishme, mund ta dimë çka në të vërtetë ka ndodhë në politikën kosovare. Mbase këtë nuk e dinë as Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, dy kryeprotagonistët e ndërmarrjes së krijimit të institucioneve qendrore të vendit.

Tek me kalimin e kohës, e cila në këtë rast do të matet me 6-9 muajtë e parë të vitit 2015, do të mirret vesh çfarë ngjau me 8 dhe 9 dhjetor, 2014. Tash për tash mund të ketë vetëm spekulime politike.

Për dikë, e tëra është vetëm blerje e kohës për PDK-në dhe LDK-në deri në një përballje tjetër zgjedhore, e cila nuk llogaritet se do të presë katëvjetëshin e mandatit. Kjo blerje e kohës mund të vlejë vetëm deri në marsin e 2016-ës, kur Presidenti i ri i Kosovës do të duhej të zgjedhej në Kuvendin e Kosovës. Për dikë tjetër, kjo Marrëveshje  (PDK – LDK) i ka shërbyer akomodimit të politikanëve dhe të politikave, e cila gjë parathotë modelin e status-quo-së si udhërrëfim qeverisës.

Për të tjerët, e tëra mund të rrumbullakësohet përbrenda konceptit të njohur të tranzicionit, i cili me përvojën që ka Kosova është një gjendje e vazhdueshme që prej verës së vitit 1999. Natyrisht, ka edhe të tillë që besojnë që çfarë u pa me fillimin e kësaj jave, është nisma e një ndryshimi cilësor të politikës kosovare.

Do të marrim vesh të gjithë se cili spekulim këtu do të del i saktë. 

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)