Qeveri e madhe me suksese të vogla

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë 100-ditëshit të parë ka arritur ta udhëheqë një qeveri të madhe, e cila ka pasur suksese të vogla. Ky është vlerësimi i opozitës dhe i analistëve politikë për tremujorin e parë të punës së ekzekutivit të vendit, të cilin e udhëheq lideri i AAK-së

Lajme

16/12/2017 08:24

Përfaqësuesit opozitarë ironizojnë me punën e shefit të Qeverisë Ramush Haradinajn, duke thënë se punën më të madhe në 100-ditëshin e parë e kishte që t’i emërojë 70 zëvendësministra. Sipas tyre, Haradinaj nuk e ka mbajtur as premtimin që të hiqen vizat me BE-në brenda 90 ditëve.

Në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë thonë se Haradinaj gjatë kësaj periudhe kohore ka marrë shumë vendime të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, në mes të cilëve nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë 100-ditëshit të parë ka arritur ta udhëheqë një qeveri të madhe, e cila ka pasur suksese të vogla. Ky është vlerësimi i opozitës dhe i analistëve politikë për tremujorin e parë të punës së ekzekutivit të vendit, të cilin e udhëheq lideri i AAK-së.

Haradinaj, sipas tyre, gjatë 100-ditëshit të parë ka arritur ta ngarkojë buxhetin e Kosovës për shkak të emërimit të 70 zëvendësministrave nëpër 22 ministri dhe qindra këshilltarë, përderisa nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë në fushatë për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian në tremujorin e parë të mandatit të tij.

Por me këtë vlerësim të zyrtarëve opozitarë dhe të analistëve politikë nuk pajtohen bashkëpunëtorët e kryeministrit Haradinaj, sipas të cilëve kryeministri për pak muaj qeverisjeje ka marrë vendime të rëndësishme për vendin, shkruan sot Gazeta Zëri.

Për 100-ditëshin e parë në krye të Qeverisë kryeministri Ramush Haradinaj do ta prezantojë raportin e punës në Kuvendin e Kosovës të mërkurën e ardhshme.