Qeveri e dobët, opozitë e fortë

Nëse koalicioni PAN nuk arrin të bëjë koalicion me LAA-në apo “Vetëvendosjen”, por do t’i “peshkojë” vetëm pak deputetë nga këto të fundit, sa për t’i siguruar 61 vota në Kuvend, atëherë Qeveria e re do të jetë shumë e dobët, përderisa opozita shumë e fortë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Lajme

27/06/2017 08:34

Koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) nëse nuk arrin të bëjë koalicion me ndonjërën nga partitë e mëdha në vend, por vetëm duke i “peshkuar” disa deputetë sa për t’i siguruar numrat e nevojshëm për një shumicë të thjeshtë parlamentare, atëherë përballë vetes do ta ketë një opozitë shumë të fortë.

Në këtë kontekst nëse do t’i sigurojë vetëm 61 deputetë në Kuvend Qeveria do të jetë jostabile, pasi që opozita do t’i ketë hiç më pak se 59 deputetë.

Kundër një qeverie të tillë janë edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it, të cilët gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, ditë më parë, kanë bërë thirrje që Kosova ta krijojë një Qeveri me shumicë stabile në Parlament pasi që, sipas tyre, ekzekutivi i ri duhet t’i adresojë sa më parë problemet themelore për vendin si: zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit, sundimi i ligjit, integrimi evropian dhe stabiliteti rajonal.