Qeshu Rini, Qeshu

Agim Çeku thotë se rinisë i është dhënë hapësirë nga qeverisja e PDK’së në nivelin qendror dhe ka pohuar se një praktikë e tillë do të bartet edhe në qeverisjen e Prishtinës. Thotë se ka plotë plane për të rinjtë.

Lajme

18/10/2013 20:20

Kandidati i PDK’së për Prishtinën, Agim Çeku, e ka të qartë se rinia është vlerë e madhe dhe pa të nuk e ka ndërmend të ecën.

Ai ka mbledhur të rinjtë prishtinas, në Sheshin 21, në mbrëmje, në kuadër të fushatës së tij për garën e 3 nëntorit, para të cilëve ka premtuar projekte të shumta.

Ka thënë se ato plane do të jenë motor zhvillimi për qendrën përfaqësuese të shtetit të Kosovës, Prishtinën.

Çeku ka deklaruar se rinisë i është dhënë hapësirë nga qeverisja e PDK’së në nivelin qendror dhe një praktikë e tillë ai ka pohuar se do të bartet edhe në qeverisjen e Prishtinës.

“Unë nuk do të eci para jush, por përkrah jush”.

“Bashkimi Europian strategjinë e vet për rininë e bazon në 8 pika dhe këto pika janë edhe plani që do të ndjek në Prishtinë.”

Veprimi i parë, ka thënë se është edukimi dhe trajnimet.

“Për këtë ne kemi plane të qarta. Ne do të investojmë në hapjen e shkollave profesionale, që janë një model dhe praktikë shumë e mirë e plot vendeve. Përmes kësaj, ne do të edukojmë shumë të rinj në drejtime profesionale, që janë edhe kërkesë e tregut të punës”.

Në pikën që ka të bëjë me edukimin, Agim Çeku rëndësi i ka dhënë edhe ndërtimit të një qendre inovative, e cila do të ketë për fokus trajnimin dhe punën e të rinjve në ide inovative që lidhen me teknologjinë.

Vullnetarizmi, sipas Çekut, do të jetë një pikë tjetër për përfshirjen e të rinjve në jetën publike.

“Ne do të hartojmë një kalendar të aktiviteteve rinore apo nismave, të cilat do të menaxhohen apo organizohen nga të rinjtë në mënyrë vullnetare”.

Ai i ka dhënë rëndësi edhe kulturës. Ka premtuar se do të organizojë edhe “Javën kulturore të rinisë”, e po ashtu do të krijojë hapësira edhe për shprehje artistike në rrugë, me grafite, e skulptura postmoderne.

Sa i përket infrastrukturës, Çeku premtuar se në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës do të ndërtojë qendrën rinore, terrene dhe salla sportive, si dhe ka përmendur projektin për qendrën sportive “Arena”, e cila do të jetë e ndërtuar me arkitekturë në formë të katër plisave – që simbolizon njëherësh edhe tifozërinë e Kryeqytetit, Plisat.