Qershia e Podujevës e molla e Istogut

Sipas të dhënave statistikore sipërfaqja më e madhe e mbjellë me kulturën e qershisë është në Komunën e Podujevës, ndersa me mollë në Istog.

Lajme

08/04/2017 23:26

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për “Pemëtarinë në Republikën e Kosovës” për vitin 2014. Në këtë publikim janë paraqitur të dhënat për sipërfaqet e përgjithshme të tokës bujqësore, sipërfaqet me kultura të përhershme, sipërfaqet me pemë, si: Pemët farore, pemët bërthamore, pemët thelbore, pemët e imta, fidanët e pemëve dhe makinat dhe mekanizmi ndihmës në ekonomitë bujqësore me plantacione të pemëve.

Rezultatet e Regjistrimit të Bujqësisë (RB) 2014 kanë treguar se nga sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore, kulturat shumëvjeçare marrin pjesë me 1.9%, shkruan lajmi.net.

Sipërfaqja tokësore e mbjellë me kultura shumëvjeçare është 7 788.23 ha. Pemët bëjnë pjesë ne grupin e kulturave shumëvjeçare dhe sipas të dhënave statistikore ky grup ka sipërfaqe prej 4 390.24 ha të mbjellë me pemë. Nga kjo, 3 519.66 ha janë plantacione të pemëve. Numri i Ekonomive Bujqësore me plantacione të pemëve është 11 677, ndërsa ekonomi bujqësore që kultivojne trupa të pemëve në mënyrë ekstensive janë 95 064.

Ekonomitë Bujqësore me plantacione të pemëve kultivojnë mesatarisht 0.3 ha.

Shumica e sipërfaqes së plantacioneve të pemëve është e kultivuar me mollë (56.1%) dhe kumbull (19.9%). Mollët dhe kumbullat janë po ashtu llojet më të rëndësishme të pemëve të cilat kultivohen në pemishtet ekstensive të Kosovës (molla në këtë sektor është e përhapur me 34.3% dhe kumbulla 24.8%).

Sipas Regjistrimit të Bujqësisë në Republikën e Kosovës (RB) 2014, sipërfaqet e kultivuara të mollës në plantacion ishin gjithsej 1 973.19 ha. Sa i përket komunave, Istogu e ka sipërfaqen më të madhe të kultivuar me mollë 272.63 ha, pastaj komuna e Pejës ka 176.70 ha, e pasuar nga komuna e Gjilanit 126.06 ha, komuna e Prishtinës 111,93 ha, Ferizaj 104.28 ha, Malisheva 96.58 ha, Skenderaj 94.55 ha dhe 27 komunat e tjera (së bashku) rreth 990.46ha.

Ndërkaq, sipërfaqet më të mëdha të mbjellë me kulturën e dardhës gjenden në Komunat: Suharekë (18.89 ha.), Klinë (18.81 ha.), Prishtinë (17.67 ha.), Kamenicë (15.20 ha), Gjilan (13.52 ha.), Vushtrri (9.45 ha.) Ferizaj (9.07 ha.), Gjakovë (6.82 ha.) dhe më se pajku sipërfaqe të mbjellë me dardhë ka komuna e Junikut (0.19 ha).

Ftoi është kulturë pemëtare e cila nuk është shumë e përhapur në Kosovë . Plantacione të ftoit në Kosovë ka 26.38 ha ose (18 009 trupa në plantacion). Rajoni i Prizrenit ka të mbjellë më së shumti plantacione të ftoit në sipërfaqe prej 6.76 ha ose 3 972 trupa i pasuar nga rajoni i Gjilanit me 5.21 ha ose 3 689 trupa. Më së paku të mbjellë me ftoi ka rajoni i Mitrovicës 0.93 ha ose 488 trupa të pemëve në plantacion. Ftoi më së shumti të mbjellë ka në komunen e Gjilanit (3.19 ha), Malishevë (2.56 ha.), Prizreni (2.12 ha) Suhareka (1.87 ha) Prishtinë (1.37 ha.), Istog (1.15 ha.), Gjakovë (1.20 ha.), dhe më së paku ftoi të kultivuar ka në Mitrovicë (0.20 ha.). Burimi:Regjistrimi i Bujqësisë në Republikën e Kosovës 2014.

Sipërfaqja e mbjellë me qershi është 50.59 ha ose 32 745 trupa të pemëve në plantacion. Kultura e qershisë më së shumti është e mbjellë në rajonin e Prishtinës 15.81 ha ose 8 299 trupa të pemëve të mbjellë në plantacion, ndërsa më së paku sipërfaqe të mbjell me qershi ka rajoni i Pejës me 1.06 ha ose 521 trupa të pemëve të mbjellë në plantacion.

Sipas të dhënave statistikore sipërfaqja më e madhe e mbjellë me kulturën e qershisë është në Komunën e Podujevës (7.25 ha), e pasuar nga Komuna e Prizrenit (5.85 ha), Komuna e Prishtinës (5.24 ha) ndërsa më së paku sipërfaqe të mbjellë ka Komuna e Istogut (0.09 ha).

Me dredhëza në Kosovë ka të mbjellë 200.60 ha. me 2 228 ekonomi bujqësore. Sipërfaqja më e madhe e mbjellë me këtë kulturë është në rajonin e Prishtinës 51.46 ha, pasuar nga rajoni i

Mitrovicës me një sipërfaqe prej 50.33 ha,ndërsa Prizreni 42.60 ha, Gjakova 16.04 ha, Gjilani14.38 ha, Ferizaj 13.32 ha. dhe Peja 12.47 ha.

Skenderaj është komuna e cila më së shumti ka sipërfaqe të mbjellë me dredhëza 33.48 ha, e pasuar nga komuna e Suharekës më sipërfaqe 29.11 ha, Podujeva me 24.67 ha , ndërsa më së paku sipërfaqe të mbjellë më dredhëza ka në Graҫanicë 0.35 ha.

Në këtë raport ASK ka publikuar edhe kultura tjera bujqësore./Lajmi.net/