Qerrja kosovare

Debatet kanë nisur, për temën e krijimit të Dhomave të Specializuara, dhe këtu, ndër ne, gati gjithçka lejohet. Edhe sikur të përdoren argumentet, vlera e të cilave është e barabartë me zero.

Lajme

12/03/2015 15:01

Ajo e moçmja, për qerren që thyhet dhe udhët që gjinden më pas, po na bie ndër mend gjithnjë e më shpesh në këtë politikën kosovare.

Puna është që në atë rast, para së gjithash, duhet ndreqë qerren. Dhe gjithsesi, më pas, duhet vazhduar udhën. Tash me më shumë mend, me më tepër kujdes, me një përvojë të madhe, me një mësim që është nxjerrë në ndërkohë.

Por këndejpari, aktualisht, kemi përvojë sa të duash, por ato nuk po përcillen dot me mësimet që i kemi nxjerrë, me shtimin e kujdesit, apo me mendtë që është dashtë t’i mbledhim. Për vete.

Pyetja e parë që rëndom bëhet te shembulli i qerres dhe udhës nuk është çka do të bëjmë tash e tutje, por si mbërritëm tek thyerja e saj. Apo, ku gabuam në të kaluarën, për të pësuar aq keq. Ndërsa prioriteti absolut, zakonisht, thërret në gjetjen e shtegdaljes nga një situatë e rëndë ku ke ra: Si individ, si familje, si shoqëri.

Kjo hyrje vlen për shumë telashe me të cilat po përballemi javëve të fundit. Veçmas, ajo ka një fuqi të argumentimit nëse këtu nisim të flasim për Dhomat e Specializuara dhe për Prokurorinë e Specializuar. Është ky një vendim i rëndë, gjithsesi, për politikën kosovare, për të gjitha instancat relevante, mbi të gjitha, për Kuvendin e Kosovës, sepse aty kërkohet përkrahja e së paku 80 deputetëve për Kornizën ligjore e cila është në përgatitje e sipër, dhe e cila pos tjerash, përfshinë edhe Amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës.

Çka i mbetet politikës kosovare për të bërë, në shmangie të një tjetër qerre të thyer, sepse tashmë një aksident na ka ndodhur, sepse nuk do të mbërrinim te ky stad i bërjes së Dhomave të Specializuara sikur të kishim funksionuar si duhet në vitet e shkuara.

Duket që para vetes i kemi katër mundësi. Madje.

E para, na vjen në trajtë të kundërshtimit inicial, britmës dhe piskamës, qitjes në dritë të një mori argumentesh pse jemi këtu ku jemi, debateve të shumta politike dhe mediatike, për të mbërritur në fund te vendimi pranues për krijimin e kësaj instance fare të veçantë gjyqësore.

E dyta, është goxha e afërt me të parën, pos që pranimin e ka në fillim, e pastaj, ecet tutje me debatet, me argumentet e shumta që do të qarkullojnë më pas.

Mundësia e tretë është që të përplasemi me ka krejt, në këtë politikën kosovare, gjë që do të mund të kishte si pasojë edhe dështimin e marrjes së vendimit në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje. Pasojat janë goxha të qarta. Në atë rast, nuk i shpëtojmë kësaj Gjykate, apo Dhomave të Specializuara, por vendimi për një Tribunal të mirëfilltë, bartet në New York, në selinë e OKB-së.

Mundësia e katërt është që të shohim të gjithë së bashku çka mund të bëhet në bisedimet me autoritete ndërkombëtare, që të lehtësohet, sado pak, barra e rëndë e krijimit të kësaj Gjykate.

Aktualisht, ne jemi diku te përgjigjja a opsioni i parë, i cili pos tjerash, karakterizohet edhe me qitjen në dritë të fakteve a argumenteve që nuk përkojnë fare me realitetin, siç është ‘teoria’ sipas së cilës, në Kuvend do të mund të procedohej me votimin në Pako, të dy palë amandamenteve, ku njëra palë përkon me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, e tjetra me krijimin e themelit kushtetues për bërjen e Dhomave të Specializuara. Diçka e tillë është absolutisht e pamundur, si në aspektin kushtetues dhe ligjor, ashtu edhe në atë politik. Por, debatet kanë nisur, dhe këtu, ndër ne së paku, thuaja gjithçka lejohet. Edhe të përdoren argumentet vlera e të të cilave është e barabartë me zero.

Përndryshe, e kaluara e Kosovës nuk mund dot të ndryshohet, me asnjë gjyq të veçantë. Nuk mund të ketë as pretendime të tilla. Dihet çfarë roli ka pasur UÇK-ja në vitet e luftës, të cilat u treguan si të domosdoshme në mbërritjen tek ora e madhe e çlirimit të Kosovës. Ky rol është vulosë në politikën dhe në historinë e Kosovës.

Në anën tjetër, ne këndejpari do të duhej bërë çkado që duhet, që kjo sprovë të mos e dëmtojë të tashmen dhe të ardhmen e këtij shteti. Diçka e tillë, fatkeqësisht, mund të ndodhë. Këtë po e shohim përditë e më shumë. Teksa po udhëtojmë të gjithë ne në këtë qerren e quajtur Kosova e vitit 2015.

(Autori është opinionist i rregullt në Lajmi.net)