Qeriqi-Qeverisë: Tërhiqeni vendimin ose protestojmë të premten

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që familjarëve të dëshmorëve të ua ndal pensionet. Sipas tij, nëse Qeveria nuk anulon këtë vendim anti-ligjor dhe të turpshëm deri të enjten, ata janë të detyruar që të dalin në protestë ditën e premte.

Lajme

27/09/2016 08:42

Postimi i plotë i Qeriqit në Facebook:

Sot qeveria e republikës së Kosovës, kishte marrë një veprim apo vendim të kundërligjshëm, ku familjeve të dëshmorëve ua kushtëzon të drejtën e pensionit të dëshmorëve, jo që është vendim anti ligjor, por është vendim i turpshëm.

Ne kërkojmë nga kryeministri dhe kabineti qeveritar, që këtë vendim ta anuloj, dhe familjeve të dëshmorëve tua kryej obligimet ligjore në të kundërtën nëse qeveria nuk reflekton në këtë drejtim, deri ditën e enjte, atëherë ne jemi të detyruar që të premten të protestojmë në mbrojtje të familjeve të dëshmorëve dhe të drejtave të tyre.

Nga kjo qeveri vërehet qartë se nuk ka shenja të zhvillimit të vendit, kjo qeveri dhe qeveritë paraprake nuk zhvilluan asnjë strategji që ekonomia e këtij vendi të rritet, krejt çka punuan këto institucione është se punuan për tu pasuruar vet dhe për ta degraduar ketë shtet.

Ata nuk lanë të zezë pa i bërë shtetit, shkatërruan, privatizuan gjithçka për qëllimet e tyre dhe në dëm të popullatës.

Procesi I privatizimit I dha goditjen më të fuqishme këtij vendi dhe popullatës të shumëvuajtur. Na mbytën çdo shpresë për fëmijët dhe të ardhmen tonë, duke mos na lënë asnjë shpresë që fëmijët tanë do të kanë një jetë normale dhe do të kenë të garantuara vendet e punës.

Të nderua bashkëluftuar ju lus dhe ju bëj thirrje që të jemi unik në të drejtën tonë ligjore që na takon.

Nëse nuk do të reagojmë të bashkua për çdo padrejtësi që do të na bëhet neve si kategori të luftës të UÇK-së, problemet do të na përcjellin në vazhdimësi. Andaj ju lus që o sot o kurrë të jemi të bashkuar dhe unik.

Nëse kjo nuk do të bëhet atëherë kjo lojë dhe këto padrejtësi do të na prekin të gjithëve. Qeverisë i konvenon që ne të jemi të përqar dhe të ndarë sepse do ta ketë të lehtë të marr vendime në dëm tonë, nëse ne jemi unik ju garantoj se do të arrijmë gjithçka.

Krejt në fund edhe njëherë kërkojmë nga qeveria ti ndalë këto veprime të turpit dhe të punoj në të mirën e kategorive të luftës dhe të qytetarëve. Kërkojmë nga ky kabinet qeverisës që mos tu hyj në hak këtyre kategorive, por të marr një vendim për pastrimin e listave të veteranëve ti largojnë ata militant, aktivist të tyre, ti largojnë ata miq e jarana që i kanë futur në këto lista, ku këta të fundit po ua hanë hakun atyre që luftuan u sakrifikuan dhe u flijuan për çlirimin e Kosovës.