Qentë mund ta nuhasin kancerin e prostatës

Qentë kanë një normë besueshmërie prej 98% për të nuhatur kancerin e prostatës, thuhet sipas hulumtimit të sapo-publikuar.

Lifestyle

12/04/2015 19:49

Studimi italian mbështetet në testet e kryera nga një shoqatë bamirëse britanike e cila i përdorë qentë për të zbuluar sëmundje të ndryshme.

Bashkë-themeluesja e kësaj shoqate bamirëse Dr. Claire Guest, thotë se hulumtimi i saj gjeti një normë të besueshmërisë prej 98% kur qentë zbuluan kancerin e fshikëzës dhe prostatës, duke i përshkruar këto gjetje si “spektakolare”, transmeton Lajmi.net.

Hulumtimi i fundit, i kryer nga Departamenti i Urologjisë në klinikën ‘Humanitas’ dhe Qendra për Hulumtime në Milano, përfshiu dy qenë gjerman nuhatës për të nuhatur urinën e 900 njerëzve me kancer të prostatës dhe 540 njerëzve pa kancer.

Shkencëtarët gjetën se njëri qen ia qëlloi diagnozës 98.7%, përderisa qeni tjetër ishte 97.7% i saktë.

Ata thanë se qentë janë në gjendje që të zbulojnë komponimet specifike të kancerit të prostatës në urinë por thanë se ende mbetet e paqartë se si një qen do të mund ta zbulojë këtë në një praktikë të përditshme, transmeton Lajmi.net.

Kanceri i prostatës është kanceri më i zakonshëm tek meshkujt në Britani të Madhe, me më shumë se 40,000 raste të cilat diagnostifikohen çdo vit.

“Është shumë emocionuese që kemi një normë të tillë suksesi në zbulimin e kancerit të prostatës, për të cilin testet mjekësore ekzistuese janë mjerisht të pamjaftueshme”, tha Dr. Guest.

“Këto rezultate janë spektakolare. Ato na ofrojnë dëshmi të mëtejshme se qentë kanë aftësi për të zbuluar kancerin e njeriut”, shtoi ajo.

Nuk ka ndonjë test të veçantë për kancerin e prostatës, por testi më i përdorur është analiza e gjakut, ekzaminimi fizik apo një biopsi.

Hulumtimi ishte publikuar në revistën Urologjia.