Qëndron Kastrati flet për Lajmi.net, tregon pse e emëroi Nol Nushin shef të kabinetit

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka vendosur ta emërojë Nol Nushin si shef të kabinetit. Ky vendim është kritikuar nga opozita në këtë qytet. LDK-ja dhe PDK-ja këtë emërim e kanë cilësuar si “fyerje për qytetin e Kamenicës”.

Lajme

18/05/2018 17:18

Por, Kastrati në një deklaratë për lajmi.net ka sqaruar arsyet pse e ka emëruar Nol Nushin si shef të kabinetit.

Kryetari i Kamenicës ka thënë se emërimi i shefit të kabinetit nuk është pozitë që zgjedhet me konkurs.

Nol Nushin që është edhe asambleist i PSD-së në Prishtinë, Kastrati e ka vlerësuar shumë sidomos në dy aspekte.

“Shefi i kabinetit nuk është as pozitë dhe nuk zgjedhet me konkurs , po është drejtpërdrejt në shërbim të kryetarit. Kryetari e konsideron çka ka nevojë atë me plotësu më shumë, dhe e bën zgjidhjen që mendon. Dy aspekte mendoj që është Noli  i jashtëzakonshëm: Në aspektin organizativ ka përvojë , e dyta është që ka njëfarë lidhje komunikimi me institucionet në Prishtinë dhe shumë më lehtë çaset në organizatat e huaja”, ka thënë fillimisht Kastrati.

Puna e Nushit edhe si asambleist në Prishtinë, por edhe si shef i kabinetit në Kamenicë, nuk po e shqetëson kryetarin Kastrati.

I pari i Kamenicës tha se është një mundësi e mirë që Kamenica dhe Prishtina të krijojnë një bashkëpunim më të madh.

“Shumë e lehtë është me i mbërri në dy anët, ai është në asamble në Prishtinë, është pjesëmarrës vetëm kur janë mbledhjet. Nuk është vend pune, asambleisti nuk ka pagë, ka kompensim, mëditje për një mbledhje që merr pjesë. Edhe për Kamenicën edhe për Prishtinën është shumë e rëndësishme me kriju një lidhje bashkëpunim sa më të madh”, thotë Qëndron Kastrati për lajmi.net.

Ai tutje e vlerësoi si “primitive” deklaratat që flasin për prejardhjen. Sipas Kastratit duhet të vlerësohet vetëm dija, përgatitja dhe përvoja.

“E para është se unë në 4 vjetët e fundit kam qenë në komunën e Prishtinës, mbi 50 qytetarë të Kamenicës janë të punësuar në komunën e Prishtinës. Veçanërisht në sektorin e arsimit dhe drejtimet e tjera. Për mua është primitive që në vitin 2018 na me u marrë se kush prej kah është, por duhet të vlerësohet njeri vetëm në dijen, përgatitjen, përvojën. Pa marrë parasysh kush e thotë, mendoj që këtë aspekt nuk duhet me promovu as nga mediat”, theksoi kryetari i Kamenicës.

Kastrati duket se nuk po i frikësohet as vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë gjykatë ka dërguar ankesë LDK-ja e cila po pretendon se Kastrati nuk ka qenë banor i Kamenicës për një periudhë 2 vjeçare.

Por duke folur për këtë ankesë, Kastrati theksoi se LDK-ja nuk ka ditur si ta bëjë ankesën, dhe s’ka bazë për ndonjë vendim që të ketë zgjedhje të reja.

“Me këtë dijen, njohurinë që e kam në përvojën juridike, asnjë shans nuk ka. As nuk kanë ditë të bëjnë ankesën, as nuk e kanë kuptuar pse e kanë bërë ankesën, dhe s’ka asnjë bazë”, përfundoi kryetari i Kamenicës.

Qëndron Kastrati fitoi në zgjedhjet lokale në Kamenicë pas balotazhit, përballë Shaip Surdullit të LDK-së. /B.B/Lajmi.net/