Qëndrime të ndryshme për Kosovën

Ivica Dacic deklaroi pas takimit me homologun e tij malazez, Milo Gjukanovic, se Serbia dhe Mali i Zi kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën. Ai tha se s’ka arsye për raporte të këqija me Podgoricën, për shkak se e ka pranuar Kosovën.

Lajme

10/12/2013 16:19

 

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Beograd, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ku ka ndarë qëndrimet të kundërta me nikoqirët për çështjen e Kosovës.

Gjukanovic gjatë kësaj vizite është takuar me zyrtarët më të lartë serbë, duke përfshirë Presidentin Tomislav Nikolic, Kryeministrin Ivica Dacic dhe Zëvendëskryeministrin Aleksandar Vucic.

Pas takimit, Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, deklaroi para medieve se Serbia dhe Mali i Zi kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën.

Por, sipas tij, udhëheqja e Malit të Zi ka mirëkuptim për qëndrimet e Beogradit për marrëveshjen me Prishtinën.

“Nuk ka arsye për raporte të këqija me Podgoricën, për shkak se e ka pranuar Kosovën, kur marrëdhëniet janë të mira me shtetet, që e kanë inicuar shpalljen e shtetësisë së Kosovës”.

“Gjukanovic është në tërësi i informuar për atë që kemi biseduar në Bruksel dhe mund të them se kemi shkuar larg në implementimin e marrëveshjes”.

“Sot është bërë një bisedë me pjesëtarët e MUP’it të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, dhe të gjithë kanë pranuar të pensionohen në MUP-in e Serbisë dhe ta vazhdojnë punën e tyre në policinë e Kosovës”.

Ivica Daçiqi ka theksuar se për ulësen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, me siguri nuk do të vendosin as Mali i Zi e as Serbia, por çdo gjë do të varet nga raporti i forcave politike në OKB.

Gjukanovic ishte  për herë të fundit në Beograd në vitin 2003, në varrimin e Kryeministrit të vrarë të Serbisë, Zoran Gjingjic. Tri vjet më vonë, në vitin 2006 Mali i Zi shpalli pavarësinë nga Serbia.