Qëndrim Gashi nuk pranon të jetë Rektor

Qëndrim Gashi bën të ditur se emri i tij për U.D të Rektorit të UP'së është propozuar nga Këshilli Drejtues pa dijeninë e tij. Thotë se nuk pranon të jetë kandidat.

Lajme

05/03/2014 22:44

Qëndrim Gashi, Profesor në Universitetin e Prishtinës, ka bërë të ditur se nuk pranon të jetë Ushtrues Detyre i Rektorit të UP’së.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai ka pohuar se Këshilli Drejtues i UP’së e ka propozuar atë, pa dijeninë e tij.

“Unë u jam mirënjohës anëtarëve të Këshillit Drejtues që më kanë propozuar mua për Rektor të UP-së dhe shumë kolegëve, studentëve e qytetarëve që më kanë inkurajuar ta shqyrtoj seriozisht këtë propozim.”

“Emri im është propozuar pa dijeninë time dhe Këshilli Drejtues më ka informuar me telefon sonte rreth orës 8 të mbrëmjes. Unë nuk pranoj të jem kandidat për ushtrues detyre.”

“Ashtu siç e kam thënë më parë, nuk kam zhvilluar kampanjë personale, por kam qenë një prej nismëtarëve të një debati publik që mëton ta reformojë thellë UP-në, në të mirë të studimeve cilësore, integritetit në shkencë dhe kontributit për shoqërinë. Në vendin tonë ka nevojë për më shumë qëndrime parimore e më pak lufta personale.”

“E përkrah publikisht çdo nismë pozitive për UP-në dhe do të vazhdoj të kontribuoj në kuadër të universitetit më të madh dhe më të rëndësishëm në vend”, ka shkruar Qëndrim Gashi.