Qëlluan policët me leva, arrestohen 4 personat që shqetësuan banorët

Katër të rinj janë arrestuar nga Komisariati i Policisë së Shkodrës, pasi qëlluan me leva hekuri dhe sende të tjera, 3 punonjës të policisë, gjatë një konfrontimi fizik.

Lajme

06/10/2015 15:59

Sipas policisë mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Perash”, ku mesnatën e së hënës, rreth orës 00.50, disa të rinj po shqetësonin banorët.

Dy patrulla të policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe teksa u kanë kërkuar 4 të rinjve dokumentet e identifikimit, janë sulmuar prej tyre me mjete të forta.

Për pasojë mbetën të plagosur lehtë 3 efektivët dhe njëri nga autorët e konfliktit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Menjëherë në ndihmë të efektivëve të dëmtuar kanë shkuar forca të tjera, të cilët shoqëruan në komisariat 4 të rinjtë, Stjuart Smakaj, vjeç 18, Nikola Curgu, vjeç 20, Noel Bajrami, vjeç 19 dhe Albert Merturi, vjeç 28, të katërt banues në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej tyre, 20 vjeçarit Noel bajrami, iu gjet edhe një armë e ftohtë thikë që mbante në xhup.

Të arrestuarit akuzohen për “prishje të qetësisë publike”,  “kundërshtimi me dhunë në bashkëpunim i punonjësit të rendit” dhe “ mbajtje e armëve të ftohta”./ shqiptarja