Qëllon me thikë bashkëfshatarin, për shkak të një loje

Është zbardhur dëshmia e shtetasit, Ylli Spaho i cili u arrestua paraditen e sotme pasi qëlloi me thikë një bashkëfshatar në një lokal në fshatin Vreshtas të Korçës. I plagosur ka mbetur shtetasi me inicialet D.T., 36 vjeç.

Lajme

24/02/2016 01:11

Shkaku i sherrit me Spahos dhe 36-vjeçarit lidhet me debatin që palët nisën kur  ishin duke luajtur domino në klubin e fshatit, duke e shoqëruar edhe me nga një gotë raki. Në inat e sipër, dy personat kanë nisur të debatojnë lidhur me vazhdimin e lojës, por Spaho nuk e ka lënë me kaq.

Ai u ngrit nga tavolina dhe shkoi të merrte një thikë me të cilën plagosi bashkëfshatarin. Pas arrestimit, autori ka shprehur pendesë për veprimin e tij, teksa ka shpjeguar edhe arsyen e asaj që ka bërë.

“Ishim duke pirë në lokalin e fshatit dhe po loznim. Nisëm të debatonim dhe unë u nxeha keq. U shkëputa nga loja dhe ashtu në nerva e sipër, edhe për shkak të pijes, shkova dhe mora një thikë e u ktheva në klub. Aty e qëllova bashkëfshatarin tim, por jam penduar”, mësohet të ketë deklaruar 35-vjeçari Ylli Spaho pas arrestimit./shekulli