Qelaj: Ligji i ri për Trashëgiminë nuk trajton rastet sikurse ai i Shyhrete Berishës

Zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Qelaj, nuk i di arsyet se pse në Ligjin e ri për Trashëgiminë, i cili është në procedura brenda Kuvendit të Kosovës nuk është përfshirë fare draftimi i nenit 13, i cili flet të drejtën e përfaqësimit.

Lajme

04/06/2018 08:37

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, vetë zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Qelaj, i cili kishte përfaqësuar në procedurat gjyqësore Shyhrete Berishën, ka treguar se nuk i di arsyet se pse nuk është draftuar neni 13 i Ligjit.

Rasti i Shyhrete Berishës, gruas nga Suhareka e cila u bë simbol i grave që nuk arrijnë t`i realizojnë të drejtat në pronë, siç tregoi hulumtimi nuk do gjejë zgjidhje me Ligjin e ri.

Ndonëse beteja ligjore e Shyhretes e nisur në vitin 2001 përfundoi në shkallë të parë në vitin 2017, dhe Shyhretes iu njoh e drejta në gjysmën e shtëpisë dhe të pronës, rastet e tilla mund të përsëriten në vazhdimësi me rregullimin siç e përcakton Ligji aktual për Trashëgiminë.

“Ky ligj ishte dërguar nga qeveria e kaluar dhe posa kam ardh në këtë pozitë jam  interesuar dhe e kam shqyrtuar se çka përmban dhe cilat janë ndryshimet të cilat i promovon. Të them të drejtën janë disa ndryshime thelbësore dhe cilësore që kanë të bëjnë me shkurtimin e kohës së bashkëjetesës për njohjen e të drejtës në trashëgimi bashkëshortit që jetojnë në bashkësi jashtëmartesore dhe pastaj forcon, ose garanton të drejtat që fëmija i ka në procedurën e trashëgimisë. Në këtë rast fëmijës së mitur gjithmonë te deklarimi për pranimi, apo mos pranimi i pjesës së tij të trashëgimisë gjithmonë duhet t`i caktohet kujdestari”, ka thënë zëvendësministri Qelaj.

“Kam parë që nuk jep zgjidhje ndoshta ashtu siç është pritur nga të gjithë ne, nga shoqërisë dhe nga unë personalisht. Sepse çështjen e përfaqësimit, apo të drejtës së bashkëshortes në raste se bashkëshorti i saj ka vdekur para trashëgimlënësit, apo që quhet e drejta e përfaqësimit, ka mbetur e pa trajtuar me këtë projektligj”, ka deklaruar Naim Qelaj.