Qartëson Davutoglu

Ahmet Davutoglu ka thënë se deklaratat e kryeministrit turk janë keqinterpretuar. Sipas tij, Turqia është interesuar që të ketë marrëdhënie të barabarta me të gjitha shtetet e Ballkanit.

Lajme

27/10/2013 18:45

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka sqaruar së deklarata e kryeministrit turk Recep Taiyyp Erdogan është “përkthyer gabimisht dhe se është shkëputur nga konteksti”.

“Ato fjalë janë nxjerrë nga konteksti i fjalimit të tij dhe i është dhënë një kuptim të cilin ne nuk e dëshirojmë”, ka thënë ai për televizionin shtetëror turk TRT.

“Qëllimi ynë është që të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë. Turqia ka marrëdhënie të barabarta me të gjitha shtetet e Ballkanit”, ka thënë shefi i diplomacisë turke.

“Kryeministri Erdogan ka folur për një fat të përbashkët për të gjitha shtetet e Ballkanit. Të gjitha shtetet e Ballkanit do të duhej të jenë të bashkuara për stabilitet dhe paqe”, ka thënë Davutoglu.

Në një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivan Mrkic, Davutoglu ka bërë sqarime lidhur me deklaratën e kryeministrit turk gjatë vizitës së tij në Kosovë.