Qartësimi vjen pas zgjedhjeve

Jakup Krasniqi, në një intervistë për lajmi.net, thotë se e mbështet Fatmir Limajn. Ai beson se Iniciativat Qytetare në Malishevë dhe Drenas do të fitojnë. Në aspektin partiak, pohon se më nuk ka asnjë raport me drejtuesit e PDK'së.

Lajme

25/09/2013 13:09

Gjithçka po tregon se rrugët e tyre janë ndarë. Por, këtë nuk po e thonë ende zyrtarisht. As Jakup Krasniqi, as Fatmir Limaj.

Ata po presin përfundimin e zgjedhjeve lokale, me gjasë për t’ia verifikuar vetes fuqinë politike së pari – me Iniciativa Qytetare në komunat e tyre, të cilave po u qëndrojnë pas, e pastaj ta ndërmarrin edhe hapin final: ndarjen definitive nga PDK.

Qartësimin e rrugës së tyre politike duket se e kanë lënë pas 3 nëntorit.

Në një intervistë për lajmi.net, Jakup Krasniqi thotë se nuk është i kënaqur me Partinë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ishte prej themelimit të saj në vitin 1999. Sipas tij, brenda radhëve të saj janë rritur pakënaqësinë dhe kanë dalë iniciativa. Për këtë, ai ka një shpjegim.

“Unë me kohë, para zgjedhjeve të fundit në atë parti, kam thënë mendimet e mia, kam pasur kërkesat e mia, të cilat kam konsideruar se kanë qenë tepër të arsyeshme, jo për ta dobësuar subjektin politik, por për ta forcuar atë, për ta forcuar debatin demokratik dhe demokracinë brendapërbrenda PDK’së, që vendimmarrja të jetë pjesë e organeve të partisë, të cilat do të dilnin nga zgjedhjet e lira. Asnjëra nga këto nuk ka shkuar”.

“Konsideroj se në PDK nuk ka pasur zgjedhje të mirëfillta. Nuk janë zgjedhur njerëzit. Ata, kryesisht, janë emëruar. Në një situatë të tillë, nuk e kam gjetur veten”.

“Tani, zhvillimet politike në PDK i përcjell si çdo qytetar i Kosovës, i cili ndjek zhvillimet politike të Kosovës.”

“Jemi në prag të fushatës zgjedhore. Pakënaqësitë janë shfaqur në shumicën e degëve të PDK’së, janë shfaqur diku edhe me krijimin e Iniciativave Qytetare, që, në fakt, ata njerëz që kanë krijuar ato iniciativa – kanë qenë anëtarë themelues të Degëve të PDK’së. Ato Iniciativa kanë burimin në PDK dhe kanë një mbështetje të qytetarëve”.

Sekretari i dikurshëm i PDK’së mbështet veprimet e fundit të ndërmarra nga Fatmir Limaj, i cili të hënën doli në përkrahje të Iniciativës Qytetare të Malishevës.

“Natyrisht që po”, thotë bindshëm ai, për lajmi.net, kur pyetet nëse e mbështet Limajn kundër PDK’së në Malishevë.

“Fatmiri ishte në një pozicion që nuk kishte mundësi ta thoshte qëndrimin e tij. Pas lirimit që u bë nga Gjykata për ‘Rastin Kleçka’, për herë të parë që ju dha mundësia, ai e bëri të ditur qëndrimin e tij”.

“Mendoj se Fatmiri ka folur atë ditë më tepër për qeverisjen lokale në Malishevë. Konsideroj se ai ka pasur të drejtë dhe e njeh atë qeverisje. Thjesht, në zgjedhjet e fundit është bërë eliminimi i njerëzve edhe brenda PDK’së por edhe në listat që janë formuar më vonë.”

“Ai ishte hapi i parë. Tani janë zgjedhjet lokale. Ai ka përkrahur njerëzit që konsideron që janë veprimtarë të vjetër politikë, janë veprimtarë që kanë një mbështetje qytetare.”

“Sigurisht, pas zgjedhjeve, do të ketë qartësime akoma më të mëdha”.

Jakup Krasniqi thotë se asnjë nga kërkesat e tij dhe të Fatmir Limajt, si ndër themeluesit e PDK’së, nuk janë përfillur. Problemi, sipas tij, qëndron në krye të partisë dhe jo në strukturat e saj.

“E vërteta është që në zgjedhjet e fundit janë anashkaluar shumë veprimtarë politikë të PDK’së. Nuk janë përfillur kërkesat e Limajt si Nënkryetar i Partisë, as kërkesat e mia si Sekretar i Përgjithshëm i  atëhershëm. Ne kemi kërkuar atëherë që të bëhen zgjedhje të lira brenda partisë, që zgjedhjet të përgatiten sipas sistemit ‘një anëtar – një votë’ dhe që të fuqizohet demokracia e brendshme në PDK”.

“Kërkesa e fundit, edhe e Fatmirit, por edhe imja, ishte që të shtyhet Kongresi i PDK’së. Edhe ky veprim nuk u bë. Nuk u përfillën kërkesat e njerëzve që ishin themelues të PDK’së dhe gjërat kanë rrjedhur ashtu siç kanë rrjedhur. Në PDK janë krijuar pakënaqësi të mëdha”.

“E kam dhënë arsyeshmërinë time pse tani nuk jam pjesë e organeve të PDK’së. Realisht, nuk kam pasur probleme me anëtarët e PDK’së, as me strukturat e saj. Unë problemet e mia i kam adresuar me kohë. Problemi është te udhëheqja e subjektit politik. Konsideroj se nuk është udhëheqje mbi bazën e programit ekzistues të partisë, mbi bazën e statutit me të cilin është organizuar PDK. Problemi kryesor në PDK është te drejtimi i saj”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, i zgjedhur nga PDK, deklaron në vijim të intervistës së tij për lajmi.net, se beson në fitoren e Iniciativave Qytetare në Drenas dhe Malishevë. Besimin e mbështet në pakënaqësinë e qytetarëve dhe keqqeverisjen, që, sipas tij, ka ndodhur në këto dy Komuna.

“Suksesin ose mossuksesin e Iniciativave Qytetare nuk duhet ta bazojmë në rrugëtimin që kemi zgjedhur dhe do ta zgjedhim. Ato iniciativa janë burim i komunave ku njerëzit kanë qenë themelues të degëve të PDK’së, në ato komuna që vërtet është qeverisur keq. Këtë e dinë të gjithë qytetarët dhe ata po shfaqin pakënaqësinë e tyre”.

“Unë kam bindjen, se nëse zgjedhjet do ta kenë rrjedhën e tyre normale, nëse do të ketë zgjedhje demokratike, unë nuk dyshoj në fitoren e atyre dy Iniciativave”.

A e ndjenë veten sot Jakup Krasniqi pjesë të Partisë Demokratike të Kosovës?

“Unë kam qenë një ndër themeluesit e PDK’së. Kam investuar shumë në PDK. Kam investuar që PDK të jetë vërtet parti demokratike dhe që në institucione të instalohet demokracia. Kështu që me të gjitha këto veprimet që janë bërë, qoftë brendapërbrenda PDK’së, qoftë edhe në institucionet e shtetit që drejtohen nga PDK, unë nuk e ndjej veten pjesë të kësaj keqqeverisje dhe keqmenaxhimit që po u bëhet institucioneve të Kosovës”.

Postin si Kryetar të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se e ka nga PDK. Nuk e konsideron si të falur, por si të merituar.

Aktualisht, ai nuk ka asnjë raport me drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk kam tani për tani asnjë raport me drejtuesit e PDK’së në aspektin partiak. Pozitën si Kryetar i Kuvendit e kam nga PDK, të cilës i kam shërbyer me mundin dhe angazhimin tim politik. Mendoj se edhe të tjerët që janë në PDK kanë marrë fuqi nga angazhimi im shumëvjeçar në politikën e Kosovës”.

“Megjithatë, konsideroj se me njoftimet që i kam bërë të njohura për opinionin, edhe para Kongresit, edhe pas Kongresit, e kam thënë qartë se nuk pajtohem me mënyrën se si udhëhiqet dhe drejtohet PDK.”

“Nuk jam aspak dakord me mënyrën se si qeveriset vendi. Dhe, në mënyrë të veçantë, nuk jam aspak dakord me mënyrën se si po shfrytëzohet paraja publike dhe si po keq-shfrytëzohet pasuria kombëtare e këtij vendi.”

(Video: lajmi.net)