PZAP refuzon ankesat e LDK’së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë dy ankesat e LDK’së ndaj premtimeve milionëshe të Kryeministrit Hashim Thaçi gjatë fushatës zgjedhore. Në vendimet e PZAP'së, të siguruara nga lajmi.net, thuhet se ankesat janë të pabazuara.

Lajme

29/10/2013 19:39

Hashim Thaçi ka rast që në tri ditët e mbetura të fushatës ta “hapë” edhe më shumë kuletën e premtimeve për investime qeveritare, pasi që një gjë e tillë është konsideruar e ligjshme nga gjykatësit e zgjedhjeve.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka hedhur poshtë dy ankesa të LDK’së ndaj premtimeve të investimeve milionëshe nëpër Komuna të bëra nga Kryeministri i Kosovës.

Lajmi.net ka siguruar dy vendimet e PZAP’së, të cilat i hedhin poshtë pretendimet e LDK’së që Hashim Thaçi ka bërë shkelje kur ka premtuar investime të tilla nga pozita e Kryeministrit të Kosovës.

Në njërën lëndë, LDK është ankuar se Hashim Thaçi ka bërë shkelje të ligjit kur ka premtuar investime prej 100 milionë euro për Podujevën në një tubim parazgjedhor në këtë Komunë, më 21 tetor.

“PZAP konstaton se pretendimet ankimore nga subjekti politik LDK nuk qëndrojnë, nga shkaku se shkeljet e theksuara nuk konsiderohen veprime të ndaluara konform dispozitave ligjore të nenit 33, pika f dhe nenit 35 të LZP, ngase me këto nene parashihen shkeljet që kanë të bëjnë me shpërblime financiare me qëllim të përfitimit të votave, e që në rastin konkret premtimet e bëra ashtu siç janë theksuar në ankesë kanë të bëjnë me investime kapitale e të cilat nuk janë të ndaluara në dispozitat e lartëshënuara ligjore. Andaj, pretendimet e tilla u vlerësuan si të pabaza”, thuhet në vendimin e PZAP’së.

Në lëndën e dytë, LDK ka pretenduar se Hashim Thaçi gjithashtu ka bërë shkelje të Ligjit për Zgjedhjet kur ka premtuar “shpërblime financiare në formë të investimeve nga Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”.

LDK ka thënë në ankesë se Kryeministri Thaçi në Malishevë ka premtuar 75 milionë euro, në Gjilan 120 milionë.

“Me këtë rast LDK konsideron se premtimi i investimeve në emër të Qeverisë si organ më i lartë i administratës shtetërore në shkëmbim të votave përbën abuzim me këtë organ shtetëror me qëllim të përfitimit të votave për PDK’në dhe se premtimet e bëra bëhen me qëllim që votat e qytetarëve të shkojnë për PDK’në. Me këtë rast LDK kërkon nga PZAP të shqiptojë masë ndëshkimore ndaj PDK’së”.

Por, në vendimin e PZAP’së thuhet se pretendimet e ankuesit nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara në ligj.

“Dispozitat e ligjit e përcaktojnë qartë se mbështetësit apo kandidatët e subjekteve të ndryshme politike ju ndalohet bërja e ndonjë premtimi të ndonjë shpërblimi financiar me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve, andaj në këtë rast PZAP konsideron që premtimet e tilla nuk janë bërë në formë të ndonjë shpërblimi financiar për individë të caktuar apo masës që ka qenë prezente në mënyrë që votuesit të votojnë për subjektin politik PDK , por në bazë të deklarimeve të bëra, këto premtime janë dhënë në interes të komunave të caktuara, andaj PZAP vlerëson se ankesa në fjalë është e paargumentuar dhe e pabazuar në prova dhe në dëshmi konkrete”.