PZAP nis shqyrtimin e ankesave të LDK-së dhe PDK-së, vendimet më së largu të dielën

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka filluar shqyrtimin e ankesave të partive politike, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

Lajme

01/12/2017 12:24

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka dorëzuar katër ankesa për komunat: Kamenicë, Dragash, Prishtinë dhe Istog.

Kurse Partia Demokratike e Kosovës është ankuar për Prizrenin dhe Rahovecin.

Kryetari i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku ka thënë për lajmi.net se shqyrtimi i këtyre ankesave ka filluar, kurse kanë kohë deri të dielën që të dalin me vendimet e caktuar.

“Të gjitha ankesat janë në shqyrtim e sipër. Afati kohor ka filluar dje në orën 15:00, kurse ne kemi kohë 72 orë për të vendosur”, deklaroi Desku.

Ai tha se deri të dielën në ora 15:00 PZAP do ta bëjë një gjë të tillë.

“Pra vendimet duhet të votohen dhe gjykohen në PZAP deri të dielën në ora 15:00”, ka thënë Mulë Desku për lajmi.net.

Në konferenca të ndara për media gjatë ditës së djeshme, PDK dhe LDK pretenduan se procesi zgjedhor në Prizren dhe Prishtinë është manipuluar.

Partia e Isa Mustafës pati akuza edhe për procesin në Istog, ku deklarun se nuk duhet të ketë rivotim.

Ndryshe sipas rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja në Prishtinë ka fituar Shpend Ahmeti, në Prizren Mytaher Haskuka, e në Istog, Gani Dreshaj. /Lajmi.net/