Putini tërbohet nga Kongresi amerikan

Rusia në prag të takimit të shefave të diplomacive amerikane e ruse, ka kërcënuar SHBA-të me hakmarrje për arsye të nxjerrjes së ligjit që lejon aplikimin e sanksioneve të reja ndaj Moskës, shkaku i përzierjes së saj në konfliktin e Ukrainës. 

Bota

14/12/2014 14:58

Hidhërimin e Moskës e ka shkaktuar teksti i titulluar “Akti i përkrahjes së lirisë së Ukrainës”, i miratuar njëzëshëm në të dy dhomat e Kongresit amerikan. Ky tekst iu paraqit mbrëmë vonë sipas kohës sonë Senatit, i cili votoi edhe një herë njëzëshëm për këtë tekst që dënon ndërhyrjen ruse në Ukrainë, transmeton lajmi.net. Me këtë lejohen sanksionet e reja kundër Moskës, si dhe dërgimi i armatimit vdekjeprurës në Ukrainë.

“Mos dyshoni fare që sanksionet e reja do të mbeten pa përgjigje”, paralajmëroi ndihmës/shefi i diplomacisë ruse, Sergej Rjabkov për agjencinë ruse të lajmeve Interfax, transmeton lajmi.net.

Rjabkov dënoi “vendimet e papranueshme dhe ndjenjat antiruse” që, sipas tij, dominuan votimin në Kongres.

Në anën tjetër, deputetët e parlamentit ukrainas votimin në Kongres e vlerësuan si “historik”.

Mirëpo, votimi në Kongres nuk do të thotë se atë tekst ligjor do ta nënshkruajë presidenti Barack Obama dhe të lejojë që ai armatim t’i dërgohet forcave ukrainase. Ai madje para këtij votimi është deklaruar kundër një hapi të tillë.  

Shtëpia e Bardhë nuk ka zbuluar qëllimet e veta megjithëse Obama e cilësoi “kundërproduktiv” imponimin e sanksioneve të reja amerikane ndaj Rusisë pa pajtimin me BE-në.

Dërgimi i armatimit amerikan në Ukrainë sot legalisht është i mundshëm, por varet nga presidenti Obama i cili deri tash ka qenë kundër dhe ka ofruar ndihmë në dërgesën e radarëve, automjeteve, pajisjeve për çminim, syze për vëzhgim gjatë natës, jelekëve të padepërtueshëm për plumbat, si dhe radarë kundër granatave. Mirëpo, përfaqësuesit e Kongresit nuk do të ndalen dhe do të bëjnë presion politik maksimal që Obama të pajtohet me dërgimin e armatimit Kievit. Ligji i votuar mundëson edhe dhënien e huas në shumë prej 350 milionë dollarëve për këtë qëllim, me afat kthimi prej 3 vjetëve.

Ligji i ri i Kongresit kërkon nga Presidenti që të aplikojë sanksione edhe më të ashpra kundër sektorit rus të mbrojtjes (prodhuesve dhe tregtarëve me armë), të cilët armatosin Sirinë, rebelët pro-rusë në Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi. Sanksionet janë të drejtuara sidomos kundër ndërmarrjes publike ruse Rosoboronexport, merr vesh lajmi.net.

Në sektorin energjetik ligji lejon sanksione kundër gjigantit Gazprom, në rast se ky refuzon ta furnizojë me gaz Ukrainën apo vendet anëtare të NATO-s.