Putini në Paradë!

Parada e këtij viti që do të mbahet për të shënuar Ditën e Fitores në Moskë, mund të jetë më e madhja që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, por nostalgjia për këtë kohë që ka Vladimir Putini e ka lënë atë me dy miq, Asadin dhe Sisin, ndërsa Rusia, përveç Kinës dhe Indisë mund të mbështetet edhe te Koreja e Veriut.

Opinion

04/05/2015 17:29

Parada e këtij viti që do të organizohet në Moskë për nder të 9 Majit – Ditës së Fitores, për të përkujtuar 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mund të jetë më e madhja që nga shembja e Bashkimit Sovjetik. Rreth 16 mijë ushtarë, 200 automjete të blinduara dhe 150 aeroplanë dhe helikopterë, do të kalojnë përmes dhe mbi Sheshin e Kuq. Ajo do të jetë një skenë që lehtë do t’iu kishte shkuar përshtati ish udhëheqësve sovjetikë si Leonid Brezhnjevi apo Nikita Hrushov, pasi të jenë përkulur pranë varrit të Leninit.

Megjithatë, edhe pse aleatë të Rusisë në Luftën e Dytë Botërore ishin edhe shtete nga Evropa dhe Amerika e Veriut, tashmë është e njohur se liderët perëndimorë nuk do të marrin pjesë në këtë përkujtim – një pasqyrim i mospajtimit të Perëndimit me pushtimin e Ukrainës dhe aneksimin e Krimesë nga presidenti rus, Vladimir Putin. Në vend të kësaj, të ftuar të profilit të lartë të presidentit rus do të jenë udhëheqësit e Kinës, Indisë dhe Koresë së Veriut, miqtë e ditës së sotme të Rusisë.

Natyra bizare e këtij tubimi reflekton natyrën gjithnjë e më të çuditshëm të regjimit të Putinit. Në të vërtetë, ky mund të jetë “ekskluziviteti” i Rusisë së sotme të përkushtuar tek “Ditët e kohës së kaluar”, ashtu sikurse te filmi X-Men. Ashtu sikurse X-Men, në film, që bashkon forcat me miqtë e rinj për të shpëtuar të ardhmen e njerëzimit, edhe Kremlini i sotme është zhytur përsëri në nostalgjinë e tij për të kaluarën sovjetike, duke e parë atë si një luftë bashkëkohore për mbijetesën e Rusisë.

Kritikët e kësaj strategjie vlerësojnë se kjo propagandë ruse ka bashkuar Perëndimin me Gjermaninë, e cila pushtoi Rusinë më 1941, sepse piktura zyrtare e qeverisë ukrainase në Moskë vazhdon të jetë e krahasuar me atë “fashiste” dhe “neo-naziste”. Kremlini e ka mbështetur këtë strategji si nevojën për të mbrojtur rusët jashtë vendit, për të justifikuar agresionin e saj kundër Ukrainës.

Në fjalimin e Putinit pas aneksimit të Krimesë, ai akuzonte Perëndimin për refuzim “që të angazhohen në dialog”, që sipas tij e la Rusinë pa mundësi për të zgjedhur një rrugë tjetër. “Ne jemi vazhdimisht duke propozuar bashkëpunim në të gjitha çështjet kyçe që kemi njëri me tjetrin”, deklaroi ai. “Ne duam të forcojmë nivelin tonë të besimit në arenën ndërkombëtare, marrëdhënie të barabarta, të hapura, dhe të drejta. Por ne pamë se nuk kishte reciprocitet”.

Një muaj më vonë, Putin e përforcoi këtë imazh përara rusëve duke i paraqitur ata si viktima moralisht superiore të një Perëndimi mizor dhe pa kompromis. “Ne jemi më pragmatikë se sa ata që nuk e bëjnë llogaritjen si duhet” pohoi ai gjatë vizitës në Krime, duke shtuar se “madhështia dhe madhësia e Rusisë do të thotë se ne kemi një zemër më bujare”.

Nuk është e vështirë për të parë paralelen midis qasjes së Putinit dhe asaj që bënte Joseph Stalini, i cili deklaroi në fillim të Luftës së Dytë Botërore se “armiku ka për qëllim të shkatërrojë kulturën kombëtare të Rusisë dhe gjermanizimin e rusëve ose konvertimin e tyre në skllevër”. Dallimi, natyrisht, është se nazistët në fakt pushtuan Bashkimin Sovjetik, ndërsa Ukraina u pushtua sepse thjesht donte për të vendosur të ardhmen e vet.

Pa mbrojtur Stalinin, atij i njihet kontributi i madh Sovjetik në fitoren e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Andaj, në atë kohë, parada ushtarake në Sheshin e Kuq, e cila përfshinte rreth 35 mijë trupa, deri në 1900 makineri ushtarake, dhe një orkestër prej 1400 vetash, mund të thuhet se ishte një paradë e merituar. Udhëheqja sovjetike nuk kursente asnjë kosto në skenë për të treguar forcën e saj ushtarake, e cila në mungesë të një kërcënimi të jashtëm ushtarak, u bë një mjet i rëndësishëm për të treguar unitetin kombëtar.

Pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, Rusia nuk ishte më një superfuqi ushtarake. Por në vitin 2005, për të përkujtuar 60 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Putini mbajti një paradë të madhe, dhe duke besuar se Rusia mund të ketë një të ardhme evropiane, morën pjesë edhe liderët perëndimorë.

Jehona e përkujtimit të Ditës së Fitores në Moskë thuajse nuk po dëgjohet askund përveç në Rusi. Si mund të festohet fundi i një lufte në një kohë kur pasardhësit e atyre që luftuan me qëllim që brezat e ardhshëm të jetojnë në paqe, vranë njëri-tjetrin në një luftë brutale të vogël në Ukrainë lindore? Pse duhet gjuajtur fishekzjarrët në Moskë derisa në Ukrainë po lëshohen raketat?

Historiani Robert Paxton besonte se ai mund të thoshte shumë për një vend nga parada e saj. Në librin e tij të vitit 1966 shkruante se parada e Vichy në Francë (qeveria franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore) dhe politika e drejtuesit të shtetit francez të asaj kohe, Philippe Pétain, paraqitej si diçka madhështore për të mashtruar vendin e tij se Franca ruante ende pozicionin e saj të rëndësishëm në botë.

Paralelet me Rusinë e Putinit janë të qarta. Putin e sheh veten si një car të ri. Sfondi i tij nga KGB (ish shërbimi sekret i Bashkimit Sovjetik) dikton stilin e tij të udhëheqjes, e cila përfshin heqjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, persekutimin e kundërshtarëve, dhe promovimin e vlerave konservatore, njëjtë sikurse bënte Pétain përpara tij.

Duke u bazuar në këtë qasje, Putin ka ndërtuar aleancë me presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad dhe sundimtarit ushtarak të Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi. Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, është një shtesë e dobishme për këtë koleksion të shteteve anti-demokratike, pasi ka ankesat e veta strategjike me Perëndimin.

Ndryshe nga Kina, megjithatë, Rusia nuk është një superfuqi në rritje. Putin mund të përpiqet për të portretizuar veprimet e tij në Ukrainë si një luftë kundër fashizmit. Kjo është një luftë për të treguar se Rusia është superfuqi e barabartë në arenën ndërkombëtare  – është një luftë që ai kurrë nuk do ta fitojë. Pa marrë parasysh sa e madhe do të jetë parada, ai nuk mund të fsheh të vërtetën: Ditë e Rusisë si një superfuqi, i takojnë të kaluarës. Patriotizmi i Putinit, ashtu sikurse i Pétain, po ashtu i takun së kaluarës dhe humbësve.

Nina L. Khrushcheva është dekan e “The New School” në Nju Jork dhe bashkëpunëtore e lartë në Institutin e Politikave Botërore

Të drejtat autoriale: Project Syndicate, 2014, www.project-syndicate.org

lajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.