Putini fajëson Ukrainën për tragjedinë e 17 korrikut

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij është duke bërë gjithçka të mundur për t’iu lejuar ekspertëve ndërkombëtarë që të hetojnë vendin, ku është rrëzuar aeroplani i Malajzisë, në lindje të Ukrainës.

Bota

21/07/2014 12:45

Ai ka fajësuar autoritetet ukrainase për fundin e armëpushimit të njëanshëm kundër rebelëve pro-rusë në lindje.

“Ne vazhdimisht u kemi bërë thirrje palëve ndërluftuese që të ndalojnë gjakderdhjen dhe të ulen në tryezën e negociatave. Jemi të bindur se nëse më 28 qershor, luftimet në lindje të Ukrainës nuk do të kishin rinisur, kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur”, ka thënë Putin.

Ai po ashtu ka thënë se askush nuk ka të drejtë që “ta përdorë këtë tragjedi për qëllime mercenare”.

Të 298 njerëzit në bordin e fluturimit MH17 kanë humbur jetën në tragjedinë e 17 korrikut, kur aeroplani i kompanisë malajziane dyshohet të jetë rrëzuar nga një sulm me raketë tokë-ajër, e hedhur nga separatistëve pro-rusë.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar Rusinë për këtë tragjedi, duke thënë se separatistët pro-rusë janë armatosur nga Moska zyrtare, dhe se mund të kenë pasur edhe instruksione për të goditur aeroplanin.

Një ekip i ekspertëve holandezë ka udhëtuar në vendin ku është rrëzuar aeroplani i Malajzisë.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, vendi i të cilit ka humbur 192 shtetas në tragjedinë e 17 korrikut në lindje të Ukrainës, ka thënë se ekipi do të ndihmojë në identifikimin e viktimave.

Rutte ka deklaruar se ekspertët holandezë do të bëjnë të pamundurën në zbardhjen e së vërtetës, por ka thënë se rikthimi i trupave të pajetë për varrim në vendet e tyre, është prioritet numër një.