Putin me krematorë lëvizës për të fshehur gjurmët e rusëve të vrarë në Ukrainë (Video)

Konflikti ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë është edhe ashtu mjaft i tmerrshëm, por po bëhet edhe më i keq. Sipas pohimeve të Bloomberg, Rusia po përdor krematorë mobilë, në mënyrë që në vendngjarje të djegë trupa e ushtarëve rusë të vrarë dhe për të fshehur përfshirjen e vet ushtarake në këtë konflikt.

Bota

27/05/2015 21:38

SHBA dhe NATO tash e një kohë të gjatë thonë se mijëra ushtarë rusë marrin pjesë në mënyrë aktive në luftë në Ukrainën lindore, në anën e separatistëve, dhe se autoritetet ruse me qëllim heshtin numrin e të vrarëve të tyre.

Liderët rusë gjithnjë e më vështirë arrijnë të fshehin faktin që ushtarët e tyre luftojnë dhe vriten në numër të madh, pati thënë në muajin prill zëvendës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, gjenerali Alexander Vershbow, transmeton lajmi.net.

Pikërisht për këtë arsye Rusia ka filluar të zbatojë masa ekstreme për të mos lënë gjurmë.

“Rusët po tentojnë t’i fshehin viktimat e veta duke i vendosur ushtarët e vrarë në krematorë mobilë. Fshehin përzierjen e tyre në luftë jo vetëm nga bota, por edhe nga populli rus”, deklaroi kongresisti amerikan Mac Thornberry.

Ai thotë se ka parë dëshmi për posedimin e krematorëve të tillë nga burime amerikane por edhe ato ukrainase. Presidenti rus po bën përpjekje të madhe për të fshehur numrin e të vrarëve sepse frikësohet se pjesëmarrja në luftën e Ukrainës do të mund t’i kushtonte shumë shtrenjtë në sytë e popullit rus.

Shefi i shërbimit sekret ukrainas, Valentyn Nalyvaichenko, në janar pati deklaruar se krematorët mobilë munden të djegin mesatarisht 8-10 trupa të të vdekurve brenda 24 orëve. Incizimet që kanë rrjedhur në internet në mënyrë plotësuese vërtetojnë këto fakte.

Pak ditë më vonë, presidenti ukrainas Petro Poroshenko mbante në dorë dhe tregonte pasaportat e ca ushtarëve dhe spiunëve rusë të kapur në Ukrainë.

Njëkohësisht, në Rusi gjithnjë e më shumë blogerë dhe aktivistë prezantojnë listat e ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, duke dhënë edhe detaje zyrtare mbi vdekjet e tyre. Njoftimi i fundit, i publikuar më 12 maj, cek se nga fillimi i luftës e deri në muajin maj, në Ukrainë janë vrarë rreth 200 ushtarë rusë. Autoritetet ruse iu paguajnë familjeve të të vrarëve deri në 2 milionë rubla në mënyrë që të heshtin për fatin e zi të më të afërmve të tyre./lajmi.net/

YouTube player