Putin, i rrezikshëm për paqen botërore

Vladimir Putin, konsiderohet si i rrezikshëm për paqen në nivel botëror. Kështu ka thënë profesori Agim Zogaj, i cili e konsideron luftën e Rusisë në Ukrainë si luftë për territor e jo për të drejtat e rus-folësve.

Bota

19/03/2014 17:02

Profesori i shkencave politike, Agim Zogaj, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk paraqet rrezik vetëm për perëndimin, por ai është president me rrezikshmëri për paqen në nivel botëror.

Në emisionin ‘InfoMagazinë’ të KlanKosovës, Zogaj ka shpalosur idenë e tij për arsyet pse po ndodhë kjo luftë.

“Lufta e Rusisë është për pushtimin e territorit e jo për të drejtat e rusë-folësve në Ukrainë.

“Ky është një pushtim klasik me forcë dhe ndryshim i kufijve, është thyerje shumëdimensionale e të drejtës ndërkombëtare e cila vendoset dhe bazamentin e ka në Rendin e Ri Botëror, të cilët e kanë vendosur euro-perëndimorët, në radhë të parë SHBA’të, prandaj, ky është një kërcënim drejtpërdrejt për Amerikën”.

“Ky president është shumë i rrezikshëm për paqen në nivel botëror”.

“Qëndrimi i Rusisë është shumë i vendosur dhe shumë i prerë”.

Edhe opinionisti Krenar Gashi thotë se Rusia po e bën një gjë të tillë sepse mundet. Gjestin e pushtimit të Krimesë e sheh si vënie në pikëpyetje të rendit botëror.

“Rusia me këtë akt po tregon se nuk ka nevojë për mbështetje, thjesht, e bën sepse mundet”.

“Është tendencë e Kremlinit për të ndryshuar teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në një formë të gjitha teoritë e shkollave ndërkombëtarëve kanë mbetur të papritur nga kjo që ndodhi në Ukrainë”.

“Ky gjest i pushtimit të Krimesë në një mënyrë po e vë në pikëpyetje të gjithë rendin botëror”.

“Nuk do të ketë kurrfarë efekti kundrejt asaj që ka ndodhur në Krime. Gjithë sytë janë tek Barak Obama për të parë se si do të reagojë, jo vetëm hë për hë, por edhe për të parë cila është fuqia më e madhe botërore”, ka thënë Gashi në KlanKosova.