Puthja Franceze e Robotëve Muzikorë

Triumfuan në Grammy. U lavdëruan globalisht. U injoruan nga kritika në Francë. U imituan nga Presidenti Hollande. Të këtillë janë Daft Punk.

ShowBiz

28/01/2014 21:00

Ata mbajnë kaska, nuk flasin, duken misteriozë dhe – përnjëherësh janë krenaria e Francës.

Dueti Daft Punk e bëri atë që nuk i ka shkoi për dore asnjë grupi tjetër francez – në një natë fitoi katër Çmime Grammy.

Triumfi i madh i muzikës elektronike ishte lajm i mirë në Francë, krahasuar me njoftimet për papunësinë (11 për qind) dhe jetën private të Presidentit (statusi: complicated).

Dy burrat prapa kaskave, Guy-Manuel de Homem-Christo dhe Thomas Bangalter, nuk folën në natën e Grammy’ve. As kësaj radhe nuk e tradhtuan stilin e tyre misterioz. Çmimet i pranoi Pharrell Williams.

Edhe robotët janë njerëz – Thomas dhe Guy-Manuel

Mirëpo, derisa publiku në Francë shprehte ngazëllim me triumfin në Grammy, kritika zyrtare ishte krejtësisht e heshtur.

Daft Punk nuk mori asnjë nominim për çmimet muzikore franceze, Victoire de la musique.

Kritiku muzikor Pierre Siankowski mendon se problemi është tek perceptimi.

“Ne në Francë kemi problem me muzikën mainstream. Një këngë universalisht e popullarizuar, si Get Lucky, tingujt e së cilës iu mbesin në kokë, këtu nuk konsiderohet si ‘art i mirëfilltë’”.

Por, ky nuk ishte problem për votuesit e Akademisë së Incizimeve, e cila vlerësoi Daft Punk me çmim në secilën kategori për të cilën ishin nominuar: Albumi i Vitit – Random Access Memories; Incizimi i Vitit – himni funk-electronic Get Lucky; Pop Dueti më i Mirë dhe Albumi më i Mirë Dance/Electronica.

Edhe inxhinieri i tyre i zërit fitoi çmimin për punën e tij në kategorinë Albumin më i Mirë Joklasik.

Daft Punk u bënë të famshëm botërisht me albumin Homework, dhe hitin Around the World, në 1997.

Në 2007 fituan Grammy për Incizimin më të Mirë Disco (Harder Better Faster Stronger) dhe Albumin më të Mirë Dance/Electronica (Alive 2007)

Evolucioni njerëzor dhe robotik i Daft Punk.

Pastaj bënë diçka radikale – inkuadruan dimensionin e muzikës së gjallë.

Kombinimi i muziktarëve “të vërtetë”, ritmeve R&B dhe ekspertizës elektronike, konsiderohet si çelësi i suksesit në albumin Random Access Memories.

Shërbimi muzikor Spotify njoftoi se kërkesa për këngët e duetit është rritur 200 për qind këto ditë.

Kritiku Siankowski, kryeredaktor i javores për pop kulturë Les Inrockuptibles, nuk ka frikë të thotë se është fans i grupit që bën “muzikë inteligjente, e cila shkon kundër rrymës së përgjithshme”.

Të dielën, kaskat e duetit dukeshin të njohura për shikuesit francezë.

Disa ditë më parë, një revistë e kishte fotografuar Presidentin Francois Hollande duke hyrë inkognito në banesën e të dashurës së tij.

Në kokë mbante kaskë.

 A.M.

 

VIDEOLISTA

Daft Punk & Stevie Wonder – Get Lucky (Grammy 2014)

Around The World

Harder, Better, Faster, Stronger

Derezzed (Tron: Legacy Soundtrack)

One More Time