Pushuesi kosovar nxiton të shpëtojë një qen, përplaset nga treni në Durrës

Treni ka shkaktuar një tjetër aksident në Durrës ku ka përplasur një burrë pas një kalese hekurudhore, i cili mësohet se është gjallë, por në gjendje të rëndë. Sipas burimeve, i plagosuri është pushues nga Kosova.

Lajme

19/08/2018 16:43

Aksidenti këtë radhë nuk ka ndodhur nga pakujdesia e pushuesit mbi shinat, por një akt human: të shpëtonte një qen! Teksa ka vrapuar të shpëtonte qenin, ai e ka pësuar vetë.

Ky është aksidenti i dytë i kësaj jave që sapo u mbyll me trenin në Durrës. Dy ditë më parë, treni përplasi një makinë me targa angleze që nuk respektoi shenjat e qarkullimit. Brenda saj ishin anëtarët e një familjeje të tërë: Prindërit me 4 fëmijë të vegjël, nga 2 deri në 8 vjeç.

Njoftimi i Policisë:

“Më datë 19.08.2018, në lagjen Nr.13, Durrës treni i udhëtarëve i linjës Durrës – Elbasan ka goditur shtetasin A.A. 39 vjeç, banues në Kosovë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”