Pushteti po stërkeqet

Shpend Ahmeti ia rikujton Isa Mustafës që LDK është në pushtet në Prishtinë qe 13 vjet dhe pushteti në Kryeqytet është stërkequr. E ftoi përsëri në debat publik.

Lajme

19/10/2013 13:32

Atë që Isa Mustafa e ka thënë para disa ditësh në Skënderaj, Shpend Ahmeti e tha sot në Prishtinë.

Në fakt, kjo është pika e vetme ku Ahmeti është pajtuar me Mustafën gjatë dy javëve të fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Kryetari i LDK’së, duke qenë në një Komunë që drejtohet qe 13 vjet nga PDK, ishte shprehur se kur një parti politike e mban pushtetin kaq gjatë në një komunë, ajo stërkeqet.

Ahmeti ia rikujtoi Mustafës që LDK është në pushtet në Prishtine qe 13 vjet dhe pushteti në Kryeqytet është stërkequr.

“Ai (Mustafa) kishte qenë duke folur për Skënderajn. Por, po harron se partia e tij e ka pushtetin qe 14 vjet në Prishtinë. Unë pajtohem me të se partia stërkeqet dhe ne duhet t’i ndëshkojmë”, ka thënë Ahmeti, gjatë tubimit të sotëm me gratë e Prishtinës.

Por, kaq ishte puna e pikëpamjeve të njëjta të tij me Kryetarin e Prishtinës.

Ahmeti iu kthye kritikave ndaj Mustafës për shkak të refuzimit të këtij të fundit për të dalë në debate publike me kundërkandidatët e tij.

“Nuk e di unë çka ka punë tjetër një Kryetar Komune përveç se të takohet me qytetarët”.

“I bëj thirrje Kandidatit të LDK’së që të dalë në debate, mos të frikësohet nga ballafaqimi. Kjo nuk është teke e askujt, por është bazë e demokracisë. Të dalim e të flasim për opcionet tona”.

Ai u ka bërë thirrje grave që të angazhohen në politikë, dhe këtë e ka bërë duke u nisur me shembullin personal.

“Unë dua që gruaja ime të interesohet për politikë. Unë dua që nëna ime të interesohet në politikë, e jo vetëm ta mbështesë dikë. Unë dua që ju të inkuadroheni në politikë, në mënyrë që ta bëni ndryshimin”.

“Nuk duhet ta lëmë asnjë votë të vidhet në vendvotim, pa marrë parasysh për kë voton qytetari”.

“Votën do ta mbrojmë, por në mënyrë që ta mbrojmë votën ju duhet të dilni dhe votoni. Nuk ju them votojeni Vetëvendosjen, nuk ju them votomëni mua. Dilni dhe votoni. Jam i sigurt se nëse dalin mbi 60 përqind, fitorja jonë është e sigurt”, ka thënë Ahmeti.

Deputetja e Vetëvendosje’s në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për gjendjen e gruas në shoqëri dhe politikë, duke theksuar situatën e rëndë në përfaqësimin e kësaj gjinie.

“Jam optimiste që kjo situatë në të ardhmen do të ndryshojë për së miri”.

“Vetëm një mendje e hapur e të dyja gjinive do ta ndryshonte gjendjen. Në fletëvotim gruaja ka mundësi të vendosë për veten e vet”.

“Më 3 nëntor ta bëjmë bashkë ndryshimin, e ky ndryshim vjen vetëm e vetëm me Vetëvendosjen”, ka thënë Albulena Haxhiu.