Pushime të varfra për shqiptarët

Të shtrenjta dhe pa standarde i kanë konsideruar këtë vit pushimet qytetarët shqiptarë. 

Lajme

31/08/2014 18:42

Të sapo kthyer nga plazhi ata tregojnë se bregdeti shqiptar është shumë i bukur, por akoma shteti nuk ka vënë dorë për të standardizuar çmimet dhe kushtet, duke e lejuar sektorin privatin të abuzojë në çdo shërbim që ofron për turistët vendas dhe ata të huaj.

“Kam qenë në Himarë këtë verë me familjen, çmimet për të mos gënjyer akoma nuk janë stabilizuar. Mesatarisht kemi harxhuar 60 euro në ditë, për dy persona. Kushtet janë të mira se janë private, por ushqimet akoma nuk janë stabilizuar, për kontrollin e tyre shteti duhet të vërë dorë, ashtu si e gjithë bota se ne po shkojmë drejt botës, ndaj dhe kërkojmë që edhe tek privati të vendoset një farë rregulli,” tha një çift rreth të 50-ve, ndërsa një tjetër zonjë shton: “Kam qenë në Greqi me familjen, aty çmimet ishin mirë, të arsyeshme”.

Duket e pabesueshme por ka edhe nga ata qytetarë që nuk kanë bërë asnjëherë pushime pasi nuk kanë pasur mundësi ekonomike. Më e pakta që kanë bërë; kanë qenë deri në Durrës apo kanë vizituar miqtë dhe të afërmit e tyre.

“Nuk kamë bërë pushime, krizë e madhe. As vitet e tjera nuk kam qenë,” thotë një nënë e re rreth të 30-ave, ndërsa një tjetër zonjë shton: “Duhen kondita të shkosh në plazh, po nuk i pate me çfarë do shkosh. As në Durrës, dhe në asnjë vend tjetër. Veçse kemi shkuar te miqtë, në asnjë vend tjetër me çfarë do shkojmë”.

Një tjetër qytetar, thotë se nuk ka pasur mundësi të shkojë më larg se Durrësi, ndërsa jashtë vendit për pushime; as që bëhet fjalë.

“Deri në Durrës kam qenë, dihet për arsye ekonomike. Jashtë nuk kam qenë ndonjëherë, deri në jug të vendit po”.

Por, nëse për familjarët të bësh dy javë pushime është e vështirë për të mos thënë e pamundur, të rinjtë janë ata që kanë më pak detyrime, dhe e gjejnë mundësinë të shkojnë disa ditë në plazh.

“Kam qenë dy javë në Orikum me shoqërinë, atje ku isha unë çmimet ishin mesatare, dhe në krahasim me vitet e tjera aty-aty kanë qenë, nuk kanë lëvizur”, thotë një djalë i ri, ndërsa dy vajza të tjera shtojnë: “Unë kam qenë në Durrës me shoqërinë, ndoshta do iki sërish për ca ditë pushime, them se po”.

Vajza tjetër shton: “Unë kam qenë në Greqi me familjen me kushërinjtë, nëse do bënim një krahasim atje gjërat janë pak më të shtrenjta se këtu, por megjithatë ishte bukur, ashtu sikurse edhe këtu”.

Ajo çka të bën përshtypje ndërsa bisedon me njerëzit është kursimi i tyre në çdo drejtim, duke nisur që nga reduktimi i ditëve të pushimit, e deri te shmangia e çdo kondite ‘luksi’, si marrja me qira e një garsoniere në vend të një apartamenti, apo gatimi në shtëpi dhe jo në restorant. (Kosovapress)