Punëtorët e ndërpresin punën, ndalet prodhimi në Feronikel

Rreth 820 punëtorë dhe rreth 200 kontraktorë të fabrikës "Feronikeli" në Drenas, kanë ndërprerë punën.

Lajme

06/04/2018 11:53

Kjo për shkak se pronarët e kësaj kompanie nuk i kanë kryer obligimet ndaj punëtorëve dhe kontraktorëve, pra nuk i kanë paguar 30% të muajit shkurt.

Këtë e ka bërë të ditur për Indeksonline, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Fehmi Nika.

Ai ka thënë se ndërprerja e prodhimit ka ardhur si pasojë e mospagesës, ku sindikata bashkë me kontraktorët kanë vendosur të ndërpresin përkohësisht punën aty.

“Prodhimi është ndalur dje. Kjo pasi kompania nuk ka kryer obligimet ndaj punëtorëve. Pra, mospagesa e 30% të muajit shkurt ndaj punëtorëve dhe kontraktorëve.

Përfaqësuesit e punëtorëve bashkë me përfaqësuesit e kontraktorëve kanë marrë vendim që të ndalet prodhimi derisa të kryhen këto obligime. Punëtorët nuk janë në punë, derisa t’u kryhen pagesat. Kemi biseduar me menaxhmentin dhe e kemi lajmëruar që nëse deri në orën 12 të ditës së djeshme nuk kryhen pagesat, atëherë do të ndalin punën. Pagesa nuk është kryer dhe prodhimi është ndalur”, ka thënë Nika.

Kujtojmë që kjo fabrikë në vitin 2016 u përball me një krizë 6-muajshe të mosprodhimit për shkak të mungesës së rezervave.