Punëtorët e Fabrikës së Tubave e quajnë Isa Mustafën “Putin”

Punëtorë e Fabrikës së Tubave në Ferizaj kanë shtruar një darkë, së bashku me famlijarë, për të festuar për vendimin për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Aty kanë ftuar edhe Kryeministrin dhe kanë adresuar kritika në drejtim të Isa Mustafës.

Lajme

22/03/2014 19:29

Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë pjesë në një darkë të shtruar nga punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj, ku ata festonin zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të 17 dhjetorit 2010.

Aktgjykimi u jep të drejtë punëtorëve në kompenzim prej rreth 26 milionë eurove, për kohën kur janë larguar me dhunë nga puna gjatë regjimit serb 1989-1999.

Punëtorët dhe familjarët kanë falenderuar Kryeministrin për angazhimin e tij për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Gjatë ceremonisë, njëri nga punëtorët e quajti Isa Mustafën \”Putin\” dhe e kritikoi atë për akuzat që i ka adresuar ai në drejtim të Kryeministrit Thaçi për kinse shfrytëzimin e rastit të punëtorëve të Fabrikës së Tubave për të fituar vota.

Gjatë fjalimit njëri nga punëtorët udhëheqës pyeti: \”A krejt jeni PDK këtu a?\” dhe i drejtohet Kryeministrit duke thënë se \”ky ka punuar edhe për LDK edhe për krejt\”.

Ndërsa Thaçi përgjigjet, \”falemnderit shumë, por, ju jeni djem të të gjitha partive\”.