Puna në çift: Dallojeni punën me jetën private

Të punosh me partnerin, në të njëjtin biznes apo në një aktivitet që e keni krijuar së bashku, duket se është mjaft e këndshme. Mirëpo, kjo mund të shndërrohet në një përvojë të hidhur. Dhe, mund të shkojë në atë pikë sa që ta rrezikojë lidhjen tuaj. Të jeni kolegë, përpos partnerë, nuk është aq…

Lifestyle

13/01/2014 14:00

Të punosh me partnerin, në të njëjtin biznes apo në një aktivitet që e keni krijuar së bashku, duket se është mjaft e këndshme. Mirëpo, kjo mund të shndërrohet në një përvojë të hidhur. Dhe, mund të shkojë në atë pikë sa që ta rrezikojë lidhjen tuaj.

Të jeni kolegë, përpos partnerë, nuk është aq e lehtë dhe automatike, siç duket. Trajnerja e zhvillimit personal, Michele Montagnon dhe psokologia e klinikës, Yvonne Poncet-Bonissol, ua japin disa këshilla, në mënyrë që puna në çift të mos bëhet makth për ju.

“Nëse doni të punoni në çift, është esenciale ta ndani raportin profesional nga raporti privat”, nënvizon Montagnon, formuese e marrëdhënieve njerëzore, e cila e zhvillon aktivitetin e saj nga viti 1992.

Ajo është kompetente të flasë për këtë punë, pasi ka punuar së bashku me burrin e saj, Jackues, në një shoqëri të cilën ata e kishin bashkëthemeluar.

“Gjatë orarit të punës, duhet të ndaleni se qeni burrë e grua, jeni thjeshtë kolegë. Kjo është një gjendje mentale, e cila duhet të futet në kokë dhe të aplikohet”, shpjegon trajnerja.

Sipas saj, duhet të evitohet biseda e tepërt gjatë momenteve që i dedikohen jetës private dhe anasjelltas. “Kur doni të punoni në çift, ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm për t’i ndarë detyrat dhe rolet, sipas aftësive dhe preferencave”, shton ajo.

Mos i ndiqni stereotipet që gruaja duhet t’i bëjë punët administrative (sekretarinë dhe kontabilitetin) dhe burri të merret me pjesë tjera. Secili duhet ta ketë kënaqësinë t’i shfrytëzojë kualitetet e tij dhe të punojë aty ku ndihet më rehat dhe që beson se mund ta kryejë më mirë atë punë.

“ Çështja e statusit ligjor dhe administrativ paraqitet si një pikë themelore”, vazhdon Montagnon. Nuk është mirë që t’i kaloni së bashku 24 orë në 24.

Janë të nevojshme hapësirat për liri, për autonomi. Programoni momentet e kohës së lirë dhe dilni secili për punët tuaja. “Edhe në aktivitetin profesional, është e këshillueshme që të mos i bëni të gjitha së bashku. Duhet t’i gëzoni disa momente për të marrë frymë nga njëri tjetri”, këshllon Michele.

Mund t’i prisni klientët veç e veç, duke punuar secili në një projekt të ndryshëm. Dhe, do të gjeni kohë edhe për të diskutuar dhe folur për shumë gjëra…