Puna e gjyqtarit krahasohet me atë të minatorit!

Kanë kaluar dy javë që nga fillimi i grevës i gjykatësve të gjykatave themelore të Kosovës. Gjendja e rëndë e krijuar në sistemin e gjyqësorit si duket do të vazhdojë, pasi gjykatësit nuk e kanë ndërmend të ndërpresin grevën pa u plotësuar kërkesat e tyre.

Lajme

16/03/2015 21:01

Mbështetje gjyqtarëve i ka dhënë edhe Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës. Në një kërkesë drejtuar kryeministrit Mustafa, drejtues të kësaj sindikate i kanë bërë thirrje kreut të ekzekutivit që t’i përmbushë kërkesat. Në të kundërtën, vendi do të përballet me greva të pandërprera, raporton KTV.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi ka deklaruar se shpreson në një zgjidhje sa më të shpejtë nga Qeveria. Ai e ka krahasuar punën e gjyqtarëve me atë të minatorëve në Trepçë.

Ndërkohë, greva e më shumë se 200 gjyqtarëve të gjykatave themelore është përkrahur edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kryetari i KGJK-së, Enver Peci ka pohuar se tani nuk është koha e duhur për mbajtjen e grevës. Gjykatësit po kërkojnë rritje të pagave prej 25 për qind ose së paku zbatimin e një marrëveshjeje për pagesën e shtesës prej 200 eurove, raporton KTV.