Publikohet kontrata e autostradës “Arben Xhaferi”, GAP i pakënaqur

Ministria e Infrastrukturës ka prezantuar kontratën për autostradën Prishtinë-Shkup, duk lejuar që të kenë qasje të gjithë ata që dëshirojnë. Por Instituti GAP, ka shfaqur pakënaqësi për mënyrën se si është publikuar kjo kontratë.

Lajme

08/07/2014 15:20

Publikimi i kontratës së autostradës Prishtinë –Shkup, ka ngjallur reagime të shoqërisë civile.

Instituti për Studime të Avancuar (GAP), ka reaguar për mënyrën se si Ministria e Infrastruktures, ka ofruar qasje në këtë kontratë.

Përmes një reagimi, ata kanë vlerësuar se MI, ka bërë shkelje të ligjit për qasje në Dokumentet Publike.

GAP bën të ditur se gjatë kohës kur vëzhguesit e këtij instituti po provonin të shihnin kontratën, MI kishte angazhuar dy rojtarë, që po i përcillnin.

“Instituti GAP shpreh shqetësim lidhur me atë se si Ministria e Infrastrukturës mundohet të mashtroj opinionin publik, se kontrata në mes të Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit Bechtel&Enka është kontratë transparente”.

“Pas kërkesës së GAP për qasje në kontratën e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit (Autostrada “Arbën Xhaferi”), Ministria e Infrastrukturës u përgjigj se qasja në kontratë do të lejohet gjatë ditës së martë – 8 korrik 2014, duke njoftuar se kontrata është dokument publik dhe i qasshëm nga ana e publikut”.

GAP konsideron se mënyra se si MI ka ofruar qasje në këtë dokument, është në kundërshtim me Ligjin nr.03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike.

“Sipas nenit 11, paragrafi 1, të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, thuhet se kur lejohet qasja në dokument publik kërkuesi ka të drejtë të zgjedh nëse do të kontrollojë origjinalin apo kopjen, ose për të pranuar një kopje të dokumentit në çfarëdo forme apo formati në dispozicion sipas zgjedhjes së tij”.

“Në kundërshtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, MI ofroi vetëm shikimin e dokumentit, duke mos lejuar as marrjen e kopjes fizike të tij, por as fotografimin e përmbajtjes së dokumentit”.

“MI kishte caktuar dy rojtarë, që të ruajnë disa kopje fizike të kontratës, por duke mos lejuar marrjen apo fotografimin e përmbajtjes së tyre. Madje, rojtarët e MI, nuk jepnin përgjigje se përse nuk mundemi të marrim me vete dhe ta analizojmë përmbajtjen e kontratës? Edhe pas prezencës së vetë ministrit Fehmi Mujota, nuk u lejua marrja e kopjes së kontratës jashtë objektit të MI. Kontrata e ofruar ishte vetëm në gjuhën angleze dhe jo në gjuhët zyrtare të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Institutit GAP.

Ndërkaq, ministri i infrastrukturës, Fehmi Mujota, gjatë prezantimit të kontratës së nënshkruar për ndërtimin e Autostradës së re “Prishtinë – Hani i Elezit”, mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konsorciumit fitues “Bechtel & Enka”, tha se projektet e mëdha gjithnjë ngjallin reagime, dhe për këtë arsye kanë vendosur që të bëjnë publike kontratën.

“Rruga Prishtinë Hani i Elezit do të jetë një rrugë që do të ketë një çmim fiks, që është një përparësi nga kontrata që ishte e mëhershme për rrugën e Kombit, këtu kemi një kontratë fikse, këtu kemi një kontratë siç quhet me çelësa në dorë, do të kemi një kontratë e cila do të ketë përparësitë e veta edhe në aspektin e prokurorimit ligjorë të RKS, dhe po ashtu ajo që është më e rëndësishmja është që do të kemi një autostradë të standardeve të larta të standardeve ndërkombëtarë të standardeve të cilat tashmë janë të njohura në Kosovë.”

“Kontrata e lidhur në këtë moment është një gjë shumë e mirë që po i ndodh Kosovës. Është një gjë shumë e mirë që i ka ndodhur Kosovës. Është një mesazh jashtëzakonisht pozitiv politik se shteti i Kosovës funksionon, se aty ka investime se aty ka ndërtim se aty ka zhvillim dhe mbi bazën e kësaj kanë ardhur natyrisht edhe vlerësime shumë pozitive qoftë nga Brenda qoftë nga jashtë”, tha Mujota.