Publikohen regjistrime për korrupsion të Gruevskit në shumë 1.5 milion euro

Lidhja Social Demokrate Maqedonase (LSDM) bëri publike para mediave audio regjistrimet si dëshmi se kryeministri Nikola Gruevski ka marrë 1.5 milionë euro para në dorë nga biznesmeni serb Jovica Stefanoviq, i njohur si Gazda Nini, për shitjen e “Bankës Maqedonase”. 

Lajme

18/04/2014 00:45

Në katër regjistrime të publikuara dëgjohen zërat e negociatorit për këtë çështje, biznesmenit serb, në cilësinë e blerësit, dhe të Nikola Gruevskit si lider i VMRO-DPMNE, i cili kishte kontrolluar aksionet e kësaj banke. 

Lideri i partisë më të madhe opozitare, Zoran Zaev tha se për shkak të territ informativ që po mbretëron në vend, të gjitha regjistrimet i janë dorëzuar edhe mediave ndërkombëtare, përfaqësive diplomatike në vend, por edhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Zaev theksoi se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë urgjentisht në lidhje me këtë skandal.

“Ju bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të mos presin urdhrin e Gruevskit se si të veprojnë për rastin ku ai është protagonist kryesor. Shumë afera, deri tani, kanë qenë shpërfillur. Këtë nuk do ta lejojmë që të shpërfillet. I bëjmë thirrje prokurorit publik, Zvrlevski, që t’i harrojë ballot e romëve dhe argëtimet e tjera, ku shoqërohej me njerëzit e parë të pushtetit, dhe të iniciojë menjëherë hetime për rastin, si dhe të ndërmarrë të gjitha masat sikurse ndaj çdo qytetari tjetër të këtij vendi, në situatë të njëjtë”, deklaroi Zaev.

Gjithashtu, ai kërkoi që kryeministri Gruevski të ndërpresë kërcënimet ndaj tij si lider opozite dhe familjes së tij.

“Nëse kjo nuk është e vërtetë, pse atëherë më kërcënoni që të mos vazhdoj me këtë aferë. Ju besoni se nëse më frenoni mua, e vërteta do të mbetet përherë në fshehtësinë tuaj familjare. A nuk ishit ju ai që pohonit se e vërteta një ditë do të dalë në sipërfaqe. Ja pra, Nikola Gruevski, tani doli në sipërfaqe edhe e vërteta për ndershmërinë tënde”, deklaroi kreu i opozitës maqedonase, raporton agjencia e lajmeve Ina.