Publikohen mesazhet telefonike të futbollistit të Kombëtares kundër De Biasit (FOTO)

Ergys Kaçe ka përplasje të thella me Gianni De Biasin dhe nuk është rastësi që një nga mesfushorët më të mirë të Kombëtares përfundoi në tribunë në ndeshjen me Spanjën.

Sport

12/10/2016 10:18

Një ditë pas ndeshjes, “Panorama Sport” intervistoi futbollistin dhe ai tekstualisht shfaqi pakënaqësinë që trajneri e kish nxjerrë edhe jashtë listës rezervë.

“Nuk e kuptoj trajnerin. Nuk e di pse më ka lënë jashtë”, kishte deklaruar mesfushori i Viktoria Plzenit.

Një ditë më pas, gjithnjë me mendimin në kokë se Kaçe është një ndër lojtarët më cilësorë dhe mbi të gjitha me një të ardhme të garantuar, gazeta u interesua në burime të ndryshme pranë ekipit përfaqësues dhe rezultoi se Kaçe kish pasur një debat verbal fillimisht me trajnerin e më pas kur kish mësuar se do të përfundonte në tribunë, kish dashur të merrte rrobat e të ikte nga grumbullimi ende pa u luajtur ndeshja me Spanjën.

Burime të ndryshme të gazetës e konfirmuan këtë fakt dhe më pas gjithçka u pasqyrua në gazetë. E, megjithatë, gazeta komunikoi edhe me vetë lojtarin në orën 17:57 të ditës 10 tetor 2016, i cili gjithashtu konfirmoi se kish përplasje me trajnerin dhe me shumë mundësi derisa të ikë ky trajner (De Biasi) nga Kombëtarja, ai nuk do kthehej më.

Pasi u interesua për lajmin në disa burime dhe pasi mori edhe vetë konfirmimin e lojtarit, gazeta publikoi artikullin e ditës së djeshme me titull: “Kriset me trajnerin, Kaçe nuk vjen më në Kombëtare”.

Përgënjeshtrimi absurd i FSHF-së dhe i mediave të saj

Dje në mesditë, rreth orës 11:00, një faqe ende e pakonfirmuar zyrtarisht nëse menaxhohet nga Ergys Kaçe apo jo përgënjeshtroi lajmin që ishte publikuar në “Panorama Sport”. Gazeta, me shumë qetësi dhe me korrektësi, komunikoi me futbollistin sërish nëpërmjet “Whats app”-it dhe telefonit, duke e pyetur nëse faqja menaxhohet nga vet ai. Lojtari u përgjigj në orën 14:44 tekstualisht: “Nuk kam ‘Facebook’, nuk e di kush e përdor atë faqe”.

U duk sikur situata u qetësua pasi në portalin e “Panorama Sport” u publikua përgjigjja e lojtarit, por nuk mbaroi këtu. FSHF publikoi në web-in e vet një intervistë të shkurtër në lidhje artikullin e gazetës, që me sa duket i kish trazuar shumë ujërat në zyrat e institucionit të futbollit.

Në atë intervistë, Kaçe, edhe pse dukshëm në mënyrë të sforcuar mohonte një largim të mundshëm nga Kombëtarja, nuk mohonte krisjen me trajnerin, madje as faktin që kish biseduar me Dukën ditën e ndeshjes (para se të largohej nga ekipi në shenjë revolte).

Mesazhet e Kaçes

Gazeta “Panorama Sport”, në respekt edhe të kërkesës së Kaçes për të mos përdorur citime të tij në lidhje me vendimin për të mos u kthyer më në Kombëtare për sa kohë ishte De Biasi, vendosi të mos publikonte mesazhin e Kaçes në numrin e djeshëm. Gjithnjë duke menduar se po raporton fakte të vërteta.

Por, kur FSHF iu imponua futbollistit të mohonte lajmin që kish konfirmuar po vetë ai dhe kur institucioni i futbollit u investua maksimalisht për të censuruar një të vërtetë dhe për të hedhur baltë mbi seriozitetin e gazetës, duke përdorur fatkeqësisht Ergys Kaçen, “Panorama Sport” publikon bisedën me Kaçen më datë 10 tetor ku ai thotë shprehimisht: “Mundem të mos vij sa të ikë trajneri. Do shoh…”.

Biseda me mesazhe mes gazetarit dhe Ergys Kaçes

Gazetari: Pse, çfarë mund të bësh?

Kaçe; Po, e di. Nuk e di, do të mendohem.

Gazetari: Çfarë thua? Çfarë të mendohesh? Sa trajnerë ikin e vijnë… Ti do të jesh aty. Çfarë thua? Ti i duhesh Kombëtares. Sinqerisht.

Kaçe: Po, e di. Mund të mos vij sa të ikë trajneri. Do të shoh.

Gazetari: Nuk është mirë të dalësh kundra. Pavarësisht gjërave që bën trajneri.

Kaçe: Nuk kam problem.

Gazetari: Do të bësh ndonjë reagim në gazetë? Deklaratë?

Kaçe: Jo, lëre. S’ka gjë. Shkruaje ti vetë ndonjë gjë.

Gazetari: Ta shkruaj që lojtari mund të tërhiqet nga Kombëtarja nëse vazhdon kjo sjellje e trajnerit?

Kaçe: Po. Shkruaj që unë dua të ndihmoj skuadrën dhe e di se mundem dhe nuk e di pse kam këtë sjellje nga trajneri kur ai i di vlerat e mia.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.