PTK-së po i humb vlera, dështim në secilin drejtim

Dikur kompania më profitabile në vend, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), çdo vit po pëson rënie të fitimit, ndërsa menaxhmenti i kësaj kompanie bashkë me bordin vazhdojnë të mos japin llogari. Investimet e kompanisë, nuk janë duke dhënë rezultat. 

Lajme

16/08/2014 11:46

PTK-ja, para disa vjetësh kishte investuar edhe në Shqipëri, por sot zyrtarisht nuk dihet se çka po ndodh me aksionet e saj. Sipas burimeve të gazetës “Kosova Sot”, brenda PTK-së, ato aksione janë shuar dhe nuk dihet se çfarë po ndodh me to.

“Po shuhen në heshtje aksionet e Postës dhe Telekomit të Kosovës në telefoninë e 4-të të Shqipërisë. PTK-ja ishte shpallur fitues i tenderit me 7.9 milion euro në vitin 2009”, ka thënë ky burim.

Në raportin e publikuar të PTK-së në vitin 2013, thuhet se nga data 31 dhjetor 2013, asetet financiare në dispozicion për shitje në vlerë prej 240 mijë eurosh, kryesisht përbëhen nga investimi në 4 AL Sh.a, Shqipëri.

PTK aktualisht është duke u ballafaquar me rënie të fitimeve.

Vetëm për periudhën pesëmujore PTK-së i kanë rënë të hyrat për 11 milion euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.

Njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, vlerësojnë se privatizimi i kompanisë do të ishte shpëtimi.